I dha 3 pikë Shqipërisë, Asllani: Silvinjo na ka bërtitur shumë

Shqipëria iu gëzua një goli të Kristjan Asllanit në minutën e 48’ për të fituar ndeshjen delikatë në raundin e katërt të Ligës së Kombeve, duke mposhtur 0-1 Gjeorgjinë.

Mesfushori i Interit e ktheu në gol topin perfekt që Nedim Bajrami solli deri në zonë duke dribluar thuajse gjithë mbrojtjen e vendasve.

Si heroi i sfidës, Asllani ka folur për mediat pas ndeshjes, duke thënë se rezultati dhe sakrifica e djemve kuqezi është fryt i kritikave dhe punës së Silvinjos, raporton A2.

“Ka ndryshuar që sot ishim ekip, më kompakt, i kemi lënë të gjitha në fushë, shpirtin, zemrën, çdo gjë që kemi brenda. Ishte një ndeshje e vështirë, e dinim që luajnë bukur, por sot kanë luajtur më mirë se në Tiranë. Besoj se me Çekinë pësuam gol pas pak sekondash dhe na demoralizoi. Por siç thashë, nga sot e tutje besoj se do mbrojmë kështu, pankina, trajnerët, tifozët tanë e ia dalim. Sot erdhëm për tre pikë, folëm me trajnerin dhe ia dolëm. Ky është futbolli, rastet që humbëm mirë që nuk e pësuam, se është shumë e vështirë se është një ekip shumë i fortë sidomos përpara. Silvinjo na ka bërtitur shumë herë për të mbyllur pasimet brenda dhe më në fund ia dolëm”, tha Asllani.

Ai ka pranuar se kritikat i kanë bërë mirë dhe në vijim do të jetë e rëndësishme të gjejë më shpesh golin me kombëtaren, pasi ndryshe nga Interi këtu luan më i avancuar dhe mund të synojë portën, shkruan A2.

“Rëndësi ka të shënoj këtu që luaj më përpara, duhet të jem më aktiv në fazën sulmuese që të ndihmoj me gola dhe asist shokët e skuadrës. Të them të drejtën kjo fitore ndikon se po të kishim humbur do ishte shumë e vështirë pastaj të dilnim apo mendonim për diçka më të madhe në këtë grup. Fituam, erdhëm për tre pikë, i morëm, duhet të jemi të lumtur. Shkojmë të lumtur në klube, kthehemi në nëntor, në shtëpi, shpresojmë me rezultat pozitiv. Jam një lojtar që ka qejf të gjuajë kur sheh portën, por nuk ka rëndësi kush bën gol, kush shënon apo jo. Ka rëndësi të bëjmë ndeshjen si sot. Në fund ishim përtokë se u lodhëm, por ia dolëm. Tifozët erdhën deri në Gjeorgji dhe i falënderojmë”, deklaroi Asllani.

Latest articles

Related articles