Prof. Hasimja: Mosbindja civile nuk ka lidhje me molotovët! Opozita s’po gjen rrugën e duhur

Një ditë pas protestës, lideri i PD Sali Berisha deklaroi para gazetarëve se ky është vetëm fillimi i mosbindjes civile. Nga banesa ku ndodhet i izoluar prej më shumë se 9 muajsh kryetari i PD theksoi se opozita do të vazhdojë betejën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Lideri i opozitës Berisha paralajmëroi shefin e qeverisë Rama t’i hapë rrugë qeverisë teknike, pasi opozita nuk tërhiqet.

Në një lidhje të drejpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi, ishte politologu Ermal Hasimja.

Hasimja tha se mosbindja civile nuk ka lidhje me molotovët e hedhur gjatë ditës së djeshme nga protestuesit. Ai gjithashtu tha se opozita nuk po arrin dot që ta gjejë rrrugën e duhur.

Intervista e plotë

-A ishte protesta e djeshme dështim apo vetëm fillimi i një serie tjetër protestash që do të çojë në qeveri teknike sipas Berishës.

Hasimja: Ishte përpjekja e radhës për të treguar forcën e opozitës. Ndryshe nga herët e tjera që ka qenë në ajër, këtë radhë ishte një protestë që kishte një kërkesë të qartë. Besoj se do të vazhdojë. Dukej qartë që kishte planifikim për agresivitet më të madhe se sa në protestat e tjera.

-Pati disa akte dhune dhe debati është pikërisht këtu, rikthimi i skenave të dhunës në qytet, sipas disave janë këto skena që mundet t’i mbajnë larg qytetarët e elektoratit gri, por ka edhe disa që mendojnë se ky agresivitet duhet të theksohet për ta tutur qeverinë.

Hasimja: Shqipëria ka pasur edhe protesta më të dhunshme. Ajo e 21 janarit ka qenë më e dhunshme. Nuk është çështja te niveli i dhunës dhe shishet molotov që u hodhën. Ka një lloj presioni në gjirin e opozitës për të qenë më efikase. Opozita nuk po arrin të gjejë dot rrugën  e duhur. Edhe qëllimi i shpallur i mosbindjes civile nuk ka shumë lidhje me atë që ndodhi në protestë. Mosbindja civile nuk ka lidhje më molotovët, ka për qëllim bllokimin e funksionimit të një qeverie. Ky lloj presioni për të arritur një mbështeteje më të madhe e bën opozitën të jetë më agresive, por pa gjetur formën e duhur. Nuk mjafton vetëm të gjesh një formë të caktuar, duhet të kesh edhe përmbajtjen.

-Ka dhe një aspekt të rëndësishëm, është mënyra se si gjen apo nuk gjen mbështetje në planin ndërkombëtar. U bë e qartë se PD nuk e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve. Mos Berisha e ka ndarë mendjen që me faktorin ndërkombëtar e ka humbur davanë?

Hasimja: Faktori ndërkombëtar ka dy komponentë, njëri është ai diplomatik që thotë atë që i lejohet, por jo atë që di dhe mendon realisht, në këtë rast është shumica që është në pushtet që përfiton nga kjo gjë. Edhe kështu siç shkoi protesta e ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar. Ka një pakënaqësi në rritje, agresivitet në rritje në Shqipëri. Në raport me ata që janë përfaqësues këtu janë kalkulime të tjera. Asnjëri prej tyre nuk është i votuar dhe i zgjedhur në Shqipëri dhe natyrisht që nuk kanë merakun kryesor të demokracisë në Shqipëri. Kanë kalkulime të tjera.

Latest articles

Related articles