Komisioni anti-SPAK alarmon ndërkombëtarët në Tiranë

spot_img
Advertisements

Finalizimi i pazarit mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, për t’u bërë bashkë në komisionin antikorrupsion, njohur rëndom si komisioni “Xhafaj”, ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët. Edhe pse Fatmir Xhafaj ka disa muaj që punon, SHBA dhe BE kanë qenë skeptike, madje dhe në deklaratat që kanë dhënë, e kanë bërë të qartë vijën e kuqe.

Sali Berisha pak ditë më parë sinjalizoi se PD do të dërgojë emrat e saj në komision. Por menjëherë janë vënë në lëvizje ata që realizuan këtë reformë. Dihet se qëllimi i komisionit është i fshehur. Rama-Berisha do bëhen bashkë kundër drejtësisë dhe për këtë arsye SHBA dhe BE kanë vendosur të dërgojnë për monitorimin e procesit ekspertët më të mirë.

Në krye të misionit të SHBA do të jetë drejtuesja e misionit të OPDAT, Mary Kate. Ndërsa në krye të misionit të Bashkimit Europian, do të jetë Agnes Bernhard, një emër i njohur për shqiptarët si ish drejtuese e misionit të EURALIUS, e cila punoi gjatë implementimit të reformës në drejtësi disa vite më parë. Po ashtu pritet të mbërrijnë në Tiranë ekspertët e caktuar edhe nga Këshilli i Europës dhe OSBE.

Futja në lojë e ndërkombëtarëve është një garanci e madhe për të mos lejuar tjetërsimin e reformës. BE jo pa qëllim ka angazhuar Agnes Bernhard, pasi ajo njeh çdo gërmë të ligjeve të reformës dhe e kupton direkt qëllimin dashakeq nëse tentohet të ndërhyhet në ndonjë nen.

Ndërkohë, pak ditë më parë pati reagime të qarta nga SHBA dhe BE, pasi i treguan vijat e kuqe Edi Ramës. “Theksojmë angazhimet e ndërmarra brenda masave të miratuara në Parlament për pathyeshmërinë e reformës në drejtësi, angazhime të cilat njohin shtyllat dhe parimet kushtetuese që janë në themel të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016. Kjo përfshin pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të drejtësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë. Këto parime janë kyçe për punën e Komisionit të Posaçëm për të çuar përpara mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”, tha ambasada e SHBA.

Ndërsa BE deklaronte: “Është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë edhe shoqërinë civile. Nisma duhet të bazohet në arritjet e mëparshme të reformës dhe të jetë në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit, me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe me angazhimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Duhet të respektojë plotësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, siç garantohet nga Kushtetuta”.

spot_img

Latest articles

Related articles