nga Dritan Laci
Ai ishte dashuruar me të që kur ajo ishte në moshën 13-vjeçare. Më pas, kur ajo mbushi 15 vjeç, ai kërkoi dorën e saj tek prindërit dhe kështu ata u martuan. Nga kjo martesë lindën 2 fëmijë, të cilët sot janë djali 21-vjeçar dhe vajza 18-vjeçe. Duke qenë se e kishte marrë të vogël dhe pa shkollë, Erjoni vendosi që të mos ia kufizonte arsimimin. Kështu, pasi ajo mbaroi ciklin e mesëm, ai vendosi ta regjistronte në Universitetin ‘Vitrina’ dhe ajo të fitonte edhe një diplomë universitare, që njëkohësisht do t’i siguronte edhe një vend pune në administratë.
Por, dramatikisht, gjërat filluan të ndryshonin një vit më parë. Kur Erjoni mësoi se bashkëshortja e tij, vajza që kishte dashuruar që në moshën 13-vjeçare, me të cilën sot ka dy fëmijë të rritur, kishte krijuar një raport jashtëmartësor me shefin e saj në ERE (Enti Rregullator i Energjisë). Këtë raport e kishte pranuar edhe vetë bashkëshortja e tij dhe kjo kishte krijuar një trazim të fortë në familjen Goxharaj, saqë dy muaj më parë bashkëshortja e tij kishte lënë banesën dhe kishte shkuar te prindërit e saj. Ndërkohë që Erjoni i kishte kyçur edhe makinën në garazh.
Tashme pjesa tjetër e historisë dihet. Erjon Goxharaj, disa ditë më parë, në emër edhe të familjes së shkatërruar, vendosi të qëllojë me armën e shërbimit, drejtorin e gruas së tij, me të cilën thuhet se ajo kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore. Ai vendosi ta qëllojë në këmbë me pesë plumbat, duke e filmuar momentin e rënies së tij në tokë. Më siguri, për t’ia çuar këtë video gruas së tij, si për t’i thënë: “Ja, e ke tradhtuar!”. Dhe ndoshta me mendimin për ta lënë invalid, pasi një polic i di shumë mirë anatominë e trupit të njeriut kur duhet të qëllojë, ta plagosë apo ta eliminojë.
Gjithsecili pas këtyre rreshtave mund të gjykojë si të dëshirojë. Kjo është historia e policit Erjon Goxharaj, i cili sot vendosi të dorëzohet në polici, pasi plagosi jaranin e së shoqes.



