Sokoli, personazhi që trondiste Tiranën dhe SPAK me zërin e tij – nuk jeton më


Sokol Sulisufaj, një shqiptar nga Tropoja, i dha fund jetës në vendlindjen e tij pas një periudhe izolimi nga Tirana kaotike.

Sulisufaj, i cili kishte lëvizur në Britaninë e Madhe në fund të viteve 1990, arriti të ndërtonte një reputacion të mirë dhe të integronte shumë bashkatdhetarë. Pas kthimit në Shqipëri, investoi në pronë, ku u has me shumë vështirësi për shkak të sistemit shqiptar. Po ashtu atij iu desh të përjetonte burgime dhe izolime në Zvicër dhe Shqipëri.

Më 25 korrik, ai vendosi të qëndronte i vetëm në shtëpinë e tij. Duke qenë se një i afërm nuk mundi të kontaktonte me të, u zbulua se Sokoli nuk jetonte më.

Pak vite më parë, ai tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve të Tiranës teksa mbante një pankartë në dorë, ku i bënte thirrje qytetari që kishte dosje të falsifikuara nga prokurorë e gjyqtarë. Halli i tij ishte se sistemi i kishte grabitur pronën e blerë me djersën e ballit, teksa punonte si emigrant.

“Kam 2 ditë në Sheshin Skëndërbej, por mbi 3 vite që dal në gjithë Shqipërinë, që të denoncoj krimin e korrupsionin në institucionet shtetërore. Prokuroria dhe gjykatat janë fallco, i jam drejtuar edhe kryeministrit, kam prova e fakte, kam 5 thasë me dokumentë të falsifikuara nga prokuroria e gjykata.

Është çështje penale zonjë, për grabitje prone me dokumente të falsifikuara. Prona është në Tiranë. I jam drejtuar që në daten 26 Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, më kanë sjellë formular të falsifikuar të aplikimit. I kanë hedhur dokumentet e mia prej 2300 faqesh në koshin e mbeturinave. Nuk kam asnjë konflikt unë, konfliktin ma bëjnë prokuroria dhe gjykata që nuk zbatojne ligjin. Mua prokuroria po më çon në vëllavrasje,” thoshte ai i dëshpëruar në vitin 2019.


Sokol Sulisufaj do mbahet mend nga familjarët dhe miqtë si një njeri i drejtë dhe do të kujtohet me shumë respekt dhe dhimbje. Vetë jeta dhe vdekja e tij janë një reflektim i padrejtësisë që përjetojnë shqiptarët jo vetëm në mërgim, por edhe në atdhe

Latest articles

Related articles