Kur shkojnë një nga një intelektualët tanë të kuvendojnë me brekushet e kryeministrit Edi Rama, në podcast-in e tij, kë mendojnë ata se legjitimojnë, veten apo atë? Nuk besoj se nuk e dinë. E dinë që po i japin oksigjen një krimineli, arkitektit të një prej sistemeve më kriminale, më ordinere e më të urryera në historinë tonë të re dhe të Europës, qysh pas konvertimit të diktaturës komuniste. Pra, edhe njëherë: kur shkojnë intelektualët tanë (si t’i quajmë ndryshe?) të ndajnë kuvendim me një mendje perverse e ordinere si ai, përgjegjës për fatkeqësinë tonë të sotme kombëtare – për shthurjen, depresionin, shpopullimin, plaçkitjen e grabitjen, talljen dhe fyerjen – kur shkojnë pra, intelektualët tanë t’i japin gojë një krimineli, atë gojë cinike që ka zbrazur papushim, prej dhjetë vjetësh, vjelltinën më të ndyrë prej një maniaku të babëzitur e të pangopur me urrejtje e hakmarrje, – ndërkohë që ua ka mbyllur gojën me pushtetin e vet tiranik të SPAK-ut sigurims, ndërkohë që ia ka mbyllur gojën gjithkujt që ia thotë të vërtetën, – kur shkojnë (dhe shkojnë me gëzim) intelektualët tanë në kullën e kryeministrit shallvaregjerë, pak gjasë ka të mos e dinë thelbin e pisët se ç’përfaqëson ai… Por nëse, kushedi, e bëjnë këtë në një çast turbulence, atëherë bëjmë mirë t’ua kujtojmë se ku po shkojnë e me kë po kuvendojnë. E kemi për detyrë! Sepse në gjithë këtë histori, nuk rrezikon Murtaja, por ai që infektohet prej saj. Prandaj, që të mos molepseni, o njerëz, o burra të mirë, mbani të paktën njëfarë distance…
E sa për ata që i kanë revizionuar qëndrimet e tyre dhe befas kanë përshtypjen sikur ka ndodhur një magji dhe në sajë të kësaj magjie kanë zbuluar se Bytha është shndërruar në Bylbyl, i ftoj të lexojnë pak fragmentin e mëposhtëm të një tregimi të Vladimir Nabokovit “Shfarosja e Tiranëve”. Edhe aty ndodh një shndërrim, ku intelektuali zbulon tek Tirani udhëheqësin e dashur, Bamirësin. Protagonisti intelektual i tregimit e ka njohur që në vegjëli e në rini nga afër Diktatorin dhe tërë jetën e tij e kalon në një urrejtje të drejtë e të arsyetuar ndaj tij, mendon dhe bën plane madje për ta vrarë, për t’i dhënë fund të Keqes që përfaqësonte ai dhe sistemi i tij. Dhe befas, pas shumë e shumë vitesh urrejtjeje, ndodh një ditë si me magji një metamorfozë, një asi metamorfoze nga ato që mendoj se u ngjajnë papritmas shumë intelektualëve tanë, që shkojnë të shugurohen me podcast në shallvaret e kryeministrit tonë. Për më tej ndiqni fragmentin se si ndodh ky shndërrim:
SHFAROSJA E TIRANËVE
(Fragment tregimi)
…Dhe papritmas një tendosje e pabesueshme ndjenjash që më pushtoi, iu nënshtrua një metamorfoze të çuditshme, thuajse kimike. Jashtë dritares harbonte festa, dielli po i shndërronte pirgjet e kaltra të dëborës në një push të pellushtë xixëllues; mbi çatitë e largëta një fishekzjarr, i shpikur së fundmi nga një gjeni mes gjirit të popullit, po shkëlqente magjishëm plot ngjyra edhe në dritën e ditës. Ngazëllimi i njerëzve, tiparet diamantine të udhëheqësit që farfurinin në qiell, ngjyrat elegante të paradës që gjarpëronte nëpër mbulesën me dëborë të lumit, simbolet e bukura prej kartoni të mirëqenies së atdheut, parulla të dizenjuara bukur e lloj-llojshëm që valëviteshin mbi supet e parakaluesve, muzika e thjeshtë, e hareshme, një orgji flamujsh, fytyra të lumtura rioshësh dhe kostumet kombëtare të vajzave të shëndetshme – e gjithë kjo më shpëlau përbrenda si një valë e butë dhe e mavijtë, dhe atëbotë e kuptova krejt mëkatin tim para Udhëheqësit tonë të madh e të mëshirshëm. A nuk ishte ai që plehëroi arat tona, a nuk ishte ai që, me kujdesin e tij mbuloi lakuriqësinë e lypësve tanë, nuk është vallë ai, të cilit ne i detyrohemi për çdo sekondë të ekzistencës sonë qytetare? Lotë të nxehtë keqardhje dhe pendese, lotë të çiltër m’i mbushën rrafsh sytë në parvaz të dritares kur mendova se si unë, që i kisha kthyer shpinën mirësisë së Bamirësit, unë që kisha mohuar verbërisht bukurinë e sistemit që ai kishte krijuar, jetën tonë të përditës, gardhet e reja e të mrekullta të lajthisë, marr guximin të çoj ndërmend të vras veten, – guxoj, kësisoj, pra, të ngre dorë të marrë jetën e një prej nënshtetasve të tij! Festa, siç e thashë, ishte në piskun e vet të harbimit, dhe ashtu, i lagur nga lotët dhe të qeshurat, qëndroja në dritare, duke dëgjuar poezitë e poetit tonë më të mirë, të cilat po i recitonte në radio zëri i mrekullt bariton i një aktori, varg për varg: ………
A.T