Botuesja Rita Petro është shprehur se në jetë nuk ka bërë kompromise të ulëta, për të arritur më shumë në biznes, apo për të blerë dashurinë me para.
Komentet Petro i bëri në emisionin “Interview” në Euronews Albania, ku tha se shumë herë teksa drejtonte biznesin e saj ka marrë oferta korruptive, në mënyrë që të ngrihej më shpejt.
Ajo tha se i ka refuzuar këto oferta dhe ka qenë e vendosur që gjithçka ta arrinte me forcat e veta.
Petro shtoi se duke i dhënë prioritet disa gjërave në jetë, herë pas here ka lënë pas dore gjëra të tjera, pasi mundësia ishte e tillë, që të mos i përkushtohej dot barabartë të gjithave.
“Në faza të ndryshme i kam dhënë prioritet disa gjërave dhe kam lënë pas dore gjëra të tjera. Përshembull kur u ngrit biznesi, vajza ime ka pasur të drejtë të më thotë ‘ti nuk ishe shumë me mua’. Pavarësisht se ajo është rritur në zyrat e librit, por nuk ka ndjerë aromën e gjellës, të gatimit, që çdo fëmijë e dashuron nga mamaja e vet.
Pra dashuria ishte e para dhe mua më frymëzon, por kur ti i jepesh me mish e me shpirt edhe biznesit, edhe ajo dashuria sikur fillon edhe harron, e lënë pas dore. Pastaj kur u krijua shtëpia botuese, unë doja të mos merresha shumë me art. E lash pas dore poezinë dhe fillova botoja libra njëherë në 7-8 vite. Por ato ishin libra me shpërthime të mëdha. Unë siduket brenda vetes e ndieja, megjithëse biznesin e kam bërë me qejf, se prapë ka qenë me librin shkollor, por e lash pas dore.
Tani i jam vënë më shumë pjesës si shkrimtare, lëvizje. Tani mund të kem lënë pas dore disa gjëra, që i rrija shumë biznesit te koka. Por ajo që është e rëndësishme, kompromise të ulëta unë nuk i kam bërë ndonjëherë. Qoftë në lidhje me krijimtarinë, qoftë në lidhje me dashurinë.
Sepse edhe dashuria ndonjëherë blihet me para. Edhe dashuria edhe pjesa e biznesit që t’i të arrish majat, bund të blihet me para, me korrupsion. Gjithmonë të oftohet pjesa e korrupsionit. Kemi përballuar situata të vështira, duke mos qenë afër asnjë krahu politik”, tha Petro.