π€π§π­π’π€π¨π§πŸπ¨π«π¦π’π³π¦π’ 𝐒 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐭𝐚π₯𝐞𝐧𝐭𝐒 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐚𝐝𝐑: In Memoriam: Bajar Berisha

spot_img
Advertisements

Rafet Rudi

NΓ« jetΓ«n tonΓ« muzikore Γ«shtΓ« konsideruar si person β€œjo i zakonshΓ«m” β€œi Γ§uditshΓ«m”, madje edhe β€œperson kontraverz”, pΓ«r shkak se nΓ« punΓ«n e tij si dirigjent apo si pedagog nuk i pΓ«rmbahej normave tΓ« zakonshme tΓ« veprimit e tΓ« komunikimit me orkestrantΓ«, me studentΓ«, tΓ« komunikimit me kolegΓ« etj. Dhe kjo shoqΓ«ri e jona e cila kursesi nuk lejon tΓ« mos i pΓ«rngjash njΓ« MODELI (tΓ« imagjinuar tΓ« kultivuar e tΓ« dizajnuar nga njΓ« mentalitet i ngurtΓ«zuar nΓ« kohΓ« nga njΓ« kulturΓ« puritane dhe nga njΓ« mendΓ«si gadi konzervativ) nuk fal asnjΓ« shmangie nga ky model, e aq mΓ« pak nuk fal ndonjΓ« gabimin eventual e tΓ« paqΓ«llimshΓ«m, madje pΓ«rkundΓ«r talentit, nivelit profesional, pΓ«rkundΓ«r rezultateve artistike evidente. Bajari deri nΓ« fund tΓ« jetΓ«s, nuk i kuptoj (apo nuk ka deshti t’i kuptojΓ«) kΓ«to β€œkushte” qΓ« shoqΓ«ria jonΓ« i vendos njΓ« personaliteti publik, qoftΓ« edhe njΓ« artisti tΓ« jashtΓ«zakonshΓ«m, ndΓ«rkohΓ« qΓ« pranon me lehtΓ«si devijime tΓ« ndryshme shoqΓ«rore, dhe po kjo shoqΓ«ri me lehtΓ«si glorifikon artistΓ« mediokΓ«r, artistΓ« tΓ« rrejshΓ«m e ndonjΓ«herΓ« edhe artistΓ« matrapaz! Ai Γ«shtΓ« thjeshtΓ« β€œviktimë” e mos pΓ«rshtatjes sΓ« duhur konvencioneve tΓ« etabluara tona shoqΓ«rore. Bajari kishte kundΓ«rshtarΓ« jo tΓ« paktΓ« (si Γ§do artist), kishte mohues sΓ« punΓ«s qΓ« bΓ«nte (por jo tΓ« talentit tΓ« tij!), kishte edhe miq qΓ« e qortonin, por vΓ«shtirΓ« Γ«shtΓ« tΓ« gjendet njΓ« muziktar te ne qΓ« nuk e ka vΓ«rejtur talentin e tij tΓ« pasur, muzikalitetin unik dhe origjinalitetin e personalitetit tΓ« tij.
NdΓ«rkaq, tΓ« gjitha β€œtΓ« metat” qΓ« ai i kishte dhe qΓ« ia zinin pΓ«r tΓ« madhe tΓ« tjerΓ«t, mua, nuk mΓ« janΓ« dukur asnjΓ«herΓ« tΓ« bindshme dhe nuk kam mundur asnjΓ«herΓ« t’i pranoj deri nΓ« fund, duke qenΓ« se me Bajarin njiheshim shumΓ« gjatΓ«, qΓ« nga fillimet tona tΓ« pΓ«rbashkΓ«ta: nΓ« tΓ« njejtΓ«n ditΓ« kemi startuar nΓ« degΓ«n e Dirigjimit, kemi qenΓ« bashkarisht nΓ« studime nΓ« klasΓ«n e profesorit tΓ« njejtΓ«, nΓ« tΓ« njejtΓ«n ditΓ« kemi diplomuar (qershor 1973) madje, me paraqitje tΓ« pΓ«rbashkΓ«t koncertale nΓ« udheqjen e FilharmonisΓ« sΓ« Beogradit; punuam bashkΓ« si arsimtarΓ«, pΓ«r dyzet vjet me rradhΓ«, nΓ« AkademinΓ« e MuzikΓ«s deri nΓ« pensionimin tonΓ«. NdonΓ«se akcenti i angazhimit tim krijues ishte drejtimi dhe fusha e Kompozimit qΓ« i ipja gjithmonΓ« prioritet, Bajari u pΓ«rqΓ«ndrua me besnikΓ«ri fushΓ«s sΓ« dirigjimit dhe punΓ«s pedagogjike. Ishte muziktar i gjithanshΓ«m, intelektual i rrallΓ«, njohΓ«s i mirΓ« i literaturΓ«s, i filmit dhe disa fushave tΓ« tjera tΓ« veΓ§anta – si asaj tΓ« mjekΓ«sisΓ« dhe astronomisΓ« sΓ« popullarizuar. Bajarin e karakterizonte π‘šπ‘œπ‘‘π‘’π‘ π‘‘π‘–π‘Ž (e shoqΓ«ruar me mungesΓ« tΓ« afinitetit pΓ«r promocion personal) dhe π‘ π‘–π‘›π‘žπ‘’π‘Ÿπ‘–π‘‘π‘’π‘‘π‘– β€œi tepruar”! NdonΓ«se punoj gjatΓ« gjithΓ« kohΓ«s nΓ« Fakultetin e Arteve, ai paralelisht ishte prezent edhe si dirigjent i OrkestrΓ«s simfonike tΓ« RTP-sΓ«.
NΓ« analet e jetΓ«s sonΓ« muzikore ka njΓ« mori datash tΓ« rΓ«ndΓ«sishme pΓ«r historinΓ« tonΓ« nΓ« tΓ« cilat Bajar Berisha ishte protagonist kryesor. NΓ« fillimin festiv tΓ« Radio-televizionit tΓ« PrishtinΓ«s (mΓ« 26 nΓ«ntor 1975), kur zyrtarisht filloj punΓ«n edhe Orkestra Simfonike e RTP-sΓ«, ai ishte dirigjent kryesor; udhΓ«hoqi paraqitjen e parΓ« tΓ« njΓ« Orkestre tonΓ« simfonike nΓ« β€œLojrat Verore tΓ« Dubrovnikut” nΓ« vitin 1981, me ç’rast mori lavdata tΓ« jashtΓ«zakonshme nga opinion i gjΓ«rΓ« jugosllav; nΓ« periudhΓ«n 1974-1990, vazhdimisht ishte prezent nΓ« punΓ«n me OrkestrΓ«n tonΓ« simfonike, me tΓ« cilin pati me qindra prezentime; nΓ« periudhΓ«n 1982-1983 specializoi dirigjimin nΓ« Konzervatorin e Berlinit; nΓ« inaugurimin e Katedrales β€˜NΓ«nΓ« Tereza’ mΓ« 2010, dirigjoj β€˜Rekuiemin’ e Moxartit; qΓ« nga formimi i AkademisΓ« sΓ« MuzikΓ«s nΓ« vitin 1975 e deri nΓ« pension ishte Profesor i Dirigjimit; nΓ« periudhΓ«n e pasluftΓ«s formoi disa kuadro tΓ« dirigjentΓ«ve tanΓ«, tΓ« cilΓ«t sot me sukses udhΓ«heqin jetΓ«n muzikore; Γ«shtΓ« autor i Fjalorit enciklopedik muzikor etj. Bajar Berisha njihej si njΓ« dirigjent me memorie tΓ« jashtΓ«zakonshme, kΓ«shtuqΓ« shumΓ« prej programeve dhe veprave tΓ« mΓ«dha simfonike e vokalo-instrumentale i dirigjonte pΓ«rmendΓ«sh. PΓ«r mendimin tim, ishte njΓ«ri prej dirigjentΓ«ve mΓ« tΓ« talentuar tΓ« gjeneratΓ«s sΓ« tij nΓ« regjion.
Natyra e tij e mospΓ«rshtatjes sΓ« rregullave tΓ« domosdoshme pΓ«r njΓ« dirigjent nΓ« punΓ«n me orkestΓ«r dhe gjithashtu rrethanave fatkeqe qΓ« pat ky vend pΓ«r njΓ« kohΓ« tΓ« gjatΓ«, bΓ«ri qΓ« ai mos tΓ« bΓ«j njΓ« karierΓ« tΓ« mirΓ«fillt, ndΓ«rkombΓ«tare pΓ«r tΓ« cilΓ«n ai kishte predispozicione tΓ« padiskutueshme.
NΓ« kohΓ«n e pasluftΓ«s, (pos njΓ« apo dy herΓ« nΓ« manifestime tΓ« rastit) nuk dirigjoj me FilharmoninΓ« e KosovΓ«s, qΓ« mund tΓ« konsiderohet si fatkeqΓ«si pΓ«r jetΓ«n tonΓ« muzikore. PΓ«rkundΓ«r aftΓ«sive dhe reputacionit tΓ« lartΓ« qΓ« kishte nΓ« mesin e profesionistΓ«ve, nuk dirigjoj asnjΓ«herΓ« nΓ« TiranΓ« – Tirana muzikore atΓ« nuk e njihte!
PrishtinΓ«, 3 janar 2024

spot_img

Latest articles

Related articles