Papa Francesku: inteligjenca artificiale të mos i rritë pabarazitë, të jetë rrugë drejt paqes

Papa uron që “zhvillimi i shpejtë i formave të inteligjencës artificiale dhe teknologjike të reja të mos i rrit shumë pabarazitë sociale dhe padrejtësitë tashmë të pranishme në botë, por të kontribuon për t’u dhënë fund luftërave e konflikteve dhe për të lehtësuar shumë forma të vuajtjeve që po e mundojnë familjen njerëzore”. Kështu shkruan mes tjerash Ati i Shenjtë Bergoglio në Mesazhin për Ditën 57-të Botërore të Paqes 2024 që do të kremtohet më 1 janar 2024 e që ka si temë “Inteligjenca Artificiale dhe Paqja”.

A mund të sjellë paqe inteligjenca artificiale? Po, sipas Papa Françeskut, i cili i kushtoi kësaj teme Mesazhin për Ditën e Paqes të 1 janarit 2024. Inteligjenca dhe shkenca janë dhuratë nga Zoti dhe, shkruan Papa. “Me të drejtë gëzohemi dhe jemi mirënjohës për arritjet e jashtëzakonshme të shkencës dhe teknologjisë, falë të cilave janë korrigjuar e përmirësuar të këqija të panumërta që goditën jetën njerëzore dhe shkaktuan vuajtje të mëdha. Në të njëjtën kohë, përparimi tekniko-shkencor, duke bërë të mundur ushtrimin e një kontrolli të paprecedentë mbi realitetin, po vendos në duart e njeriut një gamë të gjerë mundësish, disa prej të cilave mund të përfaqësojnë një rrezik për mbijetesën dhe një rrezik për shtëpinë e përbashkët”.

“Në të ardhmen, besueshmëria e dikujt që aplikon për hipotekë, përshtatshmëria e një individi për një vend pune, e drejta për të marrë azil politik ose ndihmë sociale mund të përcaktohet nga sistemet artificiale të inteligjencës”, shkruan mes tjerash Papa Françesku në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes.

“Mungesa e niveleve të larmishme të ndërmjetësimit që këto sisteme prezantojnë është veçanërisht e ekspozuar ndaj formave të paragjykimit dhe diskriminimit”, vëren Ati i Shenjtë Françesku: “gabimet sistemike mund të shtohen fare lehtë, duke prodhuar jo vetëm padrejtësi në raste individuale, por edhe, nëpërmjet një efekti domino, forma reale të pabarazisë sociale. Për më tepër, ndonjëherë, format e inteligjencës artificiale duken të afta për të ndikuar në vendimet e individëve përmes opsioneve të paracaktuara që lidhen me stimuj dhe bindje, duke ndikuar vendosmërisht në ndryshimin e mendjes, ose duke rregulluar e ndikuar, përmes sistemeve, në zgjedhjet personale bazuar në organizimin e informacionit”.

“Këto forma manipulimi apo kontrolli social kërkojnë një vëmendje dhe mbikëqyrje të kujdesshme, nënkuptojnë një përgjegjësi të qartë ligjore nga ana e prodhuesve, nga ata që i punësojnë dhe nga autoritetet qeveritare”, që janë të thirrur për të shmangur “renditjet e padrejta mes qytetarëve”. “Këto procese artificiale klasifikimi mund të çojnë gjithashtu edhe në konflikte pushteti, e nuk kanë të bëjnë vetëm me përfshirjen e destinatarëve virtual, por me njerëz konkret prej mishi e gjaku”, kujton Papa.

Prandaj “respektimi themelor i dinjitetit të njeriut kërkon që ne të refuzojmë që veçantia e personit të identifikohet me një grup të dhënash. Besimtarët e krishterë, besimtarët e feve të ndryshme dhe burrat dhe gratë vullnet të mirë duhet të bashkëpunojnë në harmoni për t’i përdorur mundësitë që ofron inteligjenca artificiale dhe për t’u përballuar sfidat që paraqiten nga revolucioni dixhital, në mënyrë që t’ua dorëzojmë brezave të ardhshëm një botë më solidare, të drejtë dhe paqësore”, uron Papa Françesku.

Latest articles

Related articles