Detaje të reja janë mësuar nga aksidenti tragjik që i mori jetën vajzës së ish-deputetit Vangjel Tavo, Evanthi Tavo. Mësohet se aksidenti ka ndodhur në orën 14:00 të 28 nëntorit 2023 në autostradën “Nënë Tereza” në drejtim nga Tetova për në Shkup, në rajonin e fshatit Llaskarcë, në Maqedoninë e Veriut.
24 vjeçarja ka qenë pasagjere në makinën ”Audi” me targa shqiptare që drejtohej nga shqiptari V. M. (40), kur mjeti doli nga rruga. E reja ka humbur jetën në vend, dhe mjekët vetëm kanë konstatuar vdekjen e saj, ndërsa shoferi 40 vjeçar ndodhet në gjëndje të rëndë.
“Me datë 28.11.2023, në ora 14:00 në SPB-Shkup është raportuar se në autostradën “Nënë Tereza” në drejtim nga Tetova për në Shkup, në rajonin e fshatit Llaskarcë, automjeti i pasagjerëve “Audi” me targa të Shqipërisë, që po drejtohej nga shtetasi shqiptar V. M. (40), ka dalë nga rruga. Nga plagët e marra në aksident, pasagjerja E.T.(24) nga Republika e Shqipërisë ka ndërruar jetë në vend, ndërsa mjeku i Emergjencave Mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj. Ndërsa, i plagosur rëndë ka mbetur shoferi V.M”,-thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut
Ka qenë vetë ish-deputeti Vangjel Tavo i cili njoftoi mbrëmë ngjarjen e rëndë. Varrimi do bëhet ditën e enjte në datën 30 nëntor në orën 11:00. Eva Tavo ishte vajza e madhe e ish-deputetit, mamaja e së cilës vite më parë kishte ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë.



