Virion Graçi: Poeti grek Janis Ricos tregoi paradoksin e idealeve

spot_img
Advertisements


(Në 100 vjetorin e lindjes) nga Virion Graçi


Mund të them që në fillim se për poetë si J. Ricosi, kanë fare pak kuptim paralajmërimet e komparativistëve lidhur me nocionet autor i huaj, letërsie huaj, kur është fjala për leximin, studimin dhe pritjen e autorëve dhe veprave, të cilat nëpërmjet përkthimeve, nga mjedisi i tyre i natyrshëm gjuhësor-social-kulturor, vijnë e projektohen në një mjedis tjetër gjuhësor-social-kulturor. Në çdo pikpamje, përveç asaj gjuhësore Ricosi nuk është autor i huaj për lexuesin shqiptar; nuk është i huaj jo pse është përkthyer dhe promovuar nga qarqet e specializuara letrare, por sepse është lexuar masivisht nga të gjithë ne, është lexuar dhe rilexohet me ëndje si poet i dashur i të gjithë njerëzve.
Poetët dhe artistët e mëdhenj janë të përbotshëm sepse arrijnë të dalin nga hapësira e tyre burimore, duke u shpalosur e projektuar në pjesën tjetër të njerëzimit dhe botës me ngjyrat specifike që mbartin dhe vitalitetin e kulturës që përfaqësojnë; ndërkohë projektimi i personalitetit krijues të J.Ricosit në hapësirën shqiptare ka qenë edhe më i natyrshëm: afërsitë mendore dhe shpirtërore midis dy popujve tanë, peizazhi i përbashkët mesdhetar, kalvari i ngjashëm historik e të tjera pika të rëndësishme takimi si këto kanë bërë që poezia e Ricosit të rrënjoset shpejt dhe të lulëzojë me autoritet në Shqipëri. Historia para dhe pas L2B, që është periudha në të cilën Ricos jetoi dhe krijoi, u ruajti shqiptarëve dhe grekëve fate simetrike: pushtime të huaja, përplasje të përgjakshme civile, rregjime diktatoriale, burgje politikë, kampe përqëndrimi e të tjera produkte të tilla të zymta si këto që sjell robërimi, mungesa e lirisë individuale dhe kolektive; por nëse me popullin grek fati historik u tregua i kursyer për kohëzgjatjen e robërisë dhe periudhat e pakta të dekadencës së vlerave, me ne shqiptarët u tregua dorlëshuar në vuajtje, deshtime e sfida, e fatkeqësisht, më i kursyer në talente letrarë; nuk gjejmë asnjë poet shqiptar, bashkëkohës me Ricosin të jetë i krahasueshëm me të e me të tjerë poetë të angazhuar të atij brezi si Nazim Hikmeti, Pablo Neruda a Nikolas Gilen; ndoshta kjo mangësi e letërsisë sonë është një tjetër arsye qe ne shqiptarët e kemi lexuar Ricosin me endje dhe me etje si një poet tonin. Kam qenë e jam midis lexuesëve të pasionuar të Ricosit.

Nga vargjet më bukura që më ka ndodhur të lexoj nga poezia botërore, më shpesh më ka ardhur ndërmend ai i Janis Ricosit: “Asnjë vetmi nuk është e vogël.” Modestia, realizmi dhe profecia shkrihen në një thjeshtësi verbuese te ky varg-sintezë. Në këtë lloj sinteze realiste, fataliste dhe pikëllimtare njëkohësisht, mbrin një nga poetët më të mëdhej të shekullitXX, autor i 120 veprave letrare, autoritet i padiskutueshëm jo vetëm në vendin e tij, anëtar akademish letrare në tërë botën, fitues çmimesh prestigjoze, duke kulmuar te çmimi Nobel për Paqe. Pesha e këtij vargu bëhet mitike kur kujton se Ricosi e ka ndjekur lëvizjen dhe vetminë njerëzore që nga lëvizjet më të padukshme metafizike të njeriut të zakonshëm, deri në lëvizjet e gjera shoqërore, me pathos politik dhe karakter të spikatur klasor –revolucionar. Ricosi i kuptuar dhe i adhuruar nga masat, autor i “Marshi i oqeanit,” “Mëhallat e botës,” “Njeriu me karafil”; autor i “Tetëmbëdhjetë distikë të atdheut të hidhur,” është po ashtu poet për lexuesin elitar, krijues i mrekullueshëm poezish sintezë liriko-filozofike. Pak poetë në botë mund të kenë në krijimtarinë e tyre vargje si këto të Ricosit:“E diel. Shkëlqejnë komçat në xhaketa, si të qeshura të vogla…,”
Ose:
“Një kalë i bardhë prerë më dysh nga hija e kaltër e një qiparisi…,”
Ose: “Kujtimi i shokëve të vrarë, pirun i vjetër i harruar në xhep..”
Ose : “Fytyrat e tyre, orë të mbetura qyshkur” Megjithë njohjet që mund të kemi nga letërsia është e vështirë, thuajse e pamundur të gjesh tjetër poet si Ricosi ku uni personal dhe uni shoqëror të shpalosen aq madhërishëm, secili i evidentueshëm më vete në mjaft krijime dhe, në krijimet e tij më të arrira, uni autorial dhe uni shoqëror mishërohen organikisht te njëri-tjetri. autori tregon Athinën, Selanikun, Makrinosin, Samosin si arena ngjarjesh e përjetimesh të mëdha, tragjike; me të njëjtën fuqi sugjestive-dramatike Ricosi tregon shtëpinë e tij, teshat e të afërmve të vdekur, sëndukun e pluhurosur, pasqyrën ku nuk shihet më askush, sendet e pakta e të rëndomta të të internuarve politikë. Ricosi iu këndon përshpirtshëm heronjve të kohës e të kauzës së tij si Aris Veluhiotis, Nikos Bellojanis, Grigoris Afksentis, por i këndon po kaq hijshëm motrës, nënës, të afërmve të tij, sikurse shprehet: “Gjërat më të dashura që kisha, vdekja ose çmenduria para kohe m’i rrëmbeu.”

Nga poezitë dhe distikët me karakter të theksuar luftarak-mobilizues, Ricosi vjen në aktin e fundit të tragjedisë ekzistenciale, tregon parodinë e idealeve, epilogun e padenjë ironik të një shfaqjeje që kish sakrifikuar heronj dhe energji të çmuara: Fundin e lumtur e mbrijnë të padenjët, fitoren nuk e kremtojnë autorët e saj, lavdinë e martirëve e përvetësojnë zotërinjtë me këpucët e lustruara: “ATËHERË ALEKSI, -thuhet në poezinë me këtë titull, – Ndenji në shkallët e shtëpisë së panjohur dhe tha: Ju dua aq shumë të gjithëve ju/ sa më vjen që të qaj. /Dhe i fshiu këpucët e pluhurosura me pëllëmbë./ Aleksin e vranë në oborr./ Kur shkuam mbasdite andej/ Pamë se te ato shkallë/ Rrinte kapardisur Atdheu/ me këpucët e lustruara.” Dhe në një tjetër poezi: “Atje sipër/Si nesër njëzet vjet më parë/vranë dyzetë vetë. /Shkuan njëzet vjet,/ askush nuk ua përmend emrat./ Vonë e kuptojmë jetën.”
Nga poezitë e ligjërimit liriko-filozofik do të kujtoja atë kushtuar gruas milaneze:
“Gruaja e bukur milaneze/ Me sy të ngjyer shumë/ Me sy e thonj të ngjyer/ E me gjunjë të pangjyer./ Dhe ai i përkulur para saj/ Në njërin gju vizatonte një gjarpër/ Në tjetrin vizaton një dritare të vogël/ Për tëshikuar.” Mendoj se është shembull i patejkalueshëm i kthjelltësisë së shprehjes dhe dendurisë kuptimore; poezi me fabul që provokon një pafundësi interpretimesh, poezi-sentenciale që vë në lojë asociative burrin e gruan, nga gjeneza biblike deri në bashkëkohësi; poezi e alegorisë ironike që vënë diskutim dramatik kategoritë e moralit e të etikës. Ricos iu këndon me të njëjtën natyrshmëri dhe madhështi njerëzve dhe ngjarjeve, natyrës dhe përjetimeve të imëta vetjake; lehtësisht harmonizon ligjërimin epik me atë lirik duke vënë në lëvizje vargje të pandërprerë metaforash, krahasimesh e simbolesh, përherë befasues e shpërthyes. Pa përsëritur interpretimet profesionale, vlerësimet e merituara dhe epitetet sipërorë kushtuar Ricosit, do të shtoj vetëm një nga përfundimet e mia të deritashme lidhur me origjinalitetin e poezisë së tij: Gjithçka në vargjet e Ricosit anthropologjizohet, gjithçka fiton trajta, delikatesë, dinamikë dhe sjellje njerëzore; në këtë mënyrë anthropologjizohet deri në nuancat mikroskopike hapësira dhe koha, gjallesat dhe natyra, peizazhi, sendet ezakonshme, pamjet e rëndomta; anthropologjizohet në tërë dinamikën e saj historia dhe përditshmëria, e shkuara dhe e ardhmja. Në këtë mënyrë, frymëzimi i këtij poeti të jashtëzakonshëm shndërron në materie poetike subtile popujt dhe turmat në lëvizje, peizazhet marramendëse të mesdheut dhe viset e zymta të internimeve, hapësirat e trazuara urbane dhe reliket e rëndomta të njerëzve të harruar. Thuhet rëndom se artistët shkruajnë për të shpëtuar nga harresa gjërat që kanë më për zemër; mendoj se Ricosi nuk shkruan për t’iu kundërvënë harresës dhe përbindëshit Kronos; së pari ai shkruan t’i japë jetë, frymë dhe trajtë, lëvizje e sjellje njerëzore gjithçkaje që ka parë, ka njohur e ka dashur në jetën e tij. Falë kësaj dhuntie krijuese prej gjeniu te Ricosi, intimja bëhet shenjë dhe shprehje e fatit kolektiv; shoqërorja, ngjarja epokale përthyhet si identitet dhe koordinatë personale. Për shembull: Fati tërësisht specifik i familjes së tij, treguar në poezinë e cituar më poshtë, tingëllon si reportazh i zakonshëm nga jeta dhe fati i përditshëm i njerëzimit: “Hynte e dilte vdekja në shtëpinë tonë/ Pa i rënë portës. / Njohëm hapat e saj dhe sjelljen e saj./ Njohëm dhe atë!/ Në fillim i kishte këpucët të reja/ Bënte zhurmë/ Pastaj u bë më e butë./ Tani rri pranë oxhakut të shuar/ Zbathur dhe e shkretë/ E urtë…” Ose në nje poezi tjetër: Kështu me t’u ngrysur/ Të vdekurit kthehen në shtëpi/ Për të marrë ndonjë plaçkë të tyre që e patën harruar/ Një shami, një jelek, një këmishë, dy çorape/ Dhe, ndoshta nga humbja e kujtesës a pakujdesia/ Marrin me vete edhe diçka tonën./ Të nesërmen/ Postieri kalon
para portës sonë/ Pa u ndalur.”
Një miniaturist i shquar japonez i shek. XIX, në kulmin e suksesit qortonte bashkëkohësit entusiastë të mos nxitoheshin në lëvdata, “Pasi të kem mbushur 100 vjeç, premtonte piktori i shquar, atëherë do të kem pjekurinë e duhur të krijoj gjëra të bukura, serioze.” Ricosi ëshë në këtë moshë, sivjet është 100 vjeç dhe vazhdon të krijojë, vazhdon të shkruajë për ne. Në një poezi të vitit 1967, megjithë vetëdijen për jetëgjatësinë e artit të tij, Ricosi pranon: “Edhe statujat vdesin/ Po nuk i vështrove/ Kam parë shpesh të tilla, përtokë, me sytë gjysmë të mbyllur/ Ato presin të shohin dikë të ndalet, t’i vështrojë./ Atëherë statujat ngrihen sërisht në këmbë.” Mbase ky rilexim përkujtimor që po i bëjmë krijimtarisë së begatë të Ricosit në njëqindvjetorin e lindjes së tij është nga ato vështrime njerëzore për të cilat, me sa duket edhe statujave u nevojiten të mbijetojnë për të qëndruar sa mëgjatë përballë nesh, të gjalla, të bukura, në këmbë.
p-s:
Në vitet e mia studentore kisha shkruar te koka e shtratit këto vargje të Ricosit: “Unë e di, çdo njeri në botë udhëton i vetmuar drejt dashurisë së tij; fare, fare i vetmuar drejt lumturisë së tij; dhe i vetmuar, njëqindfish i vetmuar drejt vdekjes së tij.”

spot_img

Latest articles

Related articles