GJKKO ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Jamarbër Malltezin dhe detyrim paraqitje për Fatmir Bektashin.
Avokatët e Malltezit, Antoneta Sevdari dhe Klodian Skënderi kanë kërkuar në gjykatë revokimin e masës së sigurisë.
Avokati i njohur Klodian Skënderi, një ndër avokatët më të mirë në vend, ka qenë i pajtuar më herët edhe nga pronarët e inceneratorëve Stela Gugallja (dhe Mirel Mërtiri ?), posaçërisht për inceneratorin e Elbasanit.
Avokati i dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit foli për mediat pas vendimit të GJKKO se klienti i tij do të vazhdojë të qëndrojë në burg.Klodian Skënderi tha se nuk ka vepër penale pasi personat nën hetim, duke përfshirë këtu dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi janë në një marrëdhënie juridiko-civile të pastër.
“Në rastin konkret nuk ka vepër penale pasi personat nën hetim janë përballë një marrëdhënie juridiko-civile të pastër. Nuk mund të aludohet që me anë të ligjeve apo VKM-ve që as janë atakuar në kohë, as janë kundërshtuar, të pretendohet kryerja e një vepre penale. Qëndrimi jonë në raport me akuzat e atribuara në rastin e Jamarbër Malltezit është një qëndrim mohues dhe këtë e them me bindje. Kemi parë për aq sa mundëm fashikujt e depozituar nga ana e Prokurorisë në Gjykatë dhe të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familje të mirënjohur tiranase siç është familja Begeja dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një trashëgimtar tjetër të një familje tjetër tiranase është shumë e guximshme. Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime në këtë vend po cenohet parimi i sigurisë juridike,” – u shpreh Skënderi.