Policia bllokon një punishte që kryente aktivitet të kundërligjshëm. Prodhonte paketa me cigare, për t’i shitur në mënyrë të kundërligjshme, Policia sekuestron makineritë, një sasi duhani dhe paketa me cigare.
Kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari, pronari i punishtes ku prodhoheshin paketat me cigare, me duhan të kontrabanduar.
Në vijim të punës hetimore dhe operacionale për konstatimin dhe goditjen e krimeve ekonomike e financiare, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur një rast të veprimtarisë së kundërligjshme të prodhimit dhe tregtimit të paketave me cigare, si dhe të magazinimit të një sasie duhani të kontrabanduar, me qëllim shitjen e tij me pakicë.
Në një punishte në lagjen nr. 17/1, Policia gjeti makineritë që shërbenin për prodhimin e cigareve, për t’i shitur me pakicë, si dhe 63.2 kg duhan të papërpunuar, i dyshuar i kontrabanduar, të cilin ky shtetas e përdorte për të prodhuar paketat me cigare, që i shiste në mënyrë të kundërligjshme.