Shqipëria nuk ka më luksin të mbetet peng i një sistemi që për dekada ka prodhuar korrupsion, pandëshkueshmëri, klientelizëm dhe varfëri.
Është e pamjaftueshme të ndryshojnë emrat, kur mekanizmi që mban në këmbë padrejtësinë mbetet i paprekur.
Ndryshimi i vërtetë nuk është rotacion i njërës parti me tjetrën përgjegjëse për tranzicionin e stërzgjatur dhe përgjegjëset kryesore të gjendjes aktuale. Ndryshimi i vërtetë është reformim i thellë i sistemit politik, zgjedhor, territorial dhe ekonomik, për t’ia kthyer shtetin qytetarëve.
Prandaj, Shqipëria mendoj se ka nevojë për këto reforma themelore:
- Kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimum 2 mandate (8 vjet).
- Vetting për politikanët dhe zyrtarët e lartë.
- Heqja e imunitetit për deputetët dhe ministrat.
- Lista të hapura, vendos qytetari, jo kryetari i partisë.
- Barazi e plotë e votës për çdo shqiptar.
- Votim elektronik për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme.
- Vota e diasporës në mënyrë elektronike, duke shmangur manipulimet dhe përdorimin politik të saj si masë elektorale.
- Parlament me 100 deputetë.
- Reformë e thellë zgjedhore dhe territoriale për përfaqësim real dhe qeverisje më efikase.
- Luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.
- Kthim i pronës aty ku është e lirë.
- Kompensim me vlerë tregu për pronat e zëna.
- Regjistrim i plotë dhe përfundimtar i pronave.
- Anullim i ligjeve korruptive dhe abuzive mbi pronat e qytetarëve.
- Mbështetje për sipërmarrjen e ndershme dhe investimet e pastra.
- Askush mbi ligjin, një shtet ku drejtësia nuk njeh emra dhe mbiemra.
- Mbështetje reale dhe pa rezerva për SPAK dhe organet ligjzbatuese.
Shqiptarët sot e kanë kuptuar se problemi më i madh i Shqipërisë nuk është mungesa e ligjeve, por kapja e institucioneve nga politika.
E kanë kuptuar se Demokracia nuk mund të funksionojë kur partitë janë kthyer në prona private, kur deputetët emërohen dhe jo zgjidhen, kur pushteti përqendrohet përtej çdo kufiri dhe kur qytetari kujtohet vetëm ditën e votës.
E kanë kuptuar se beteja sot nuk është mes partive, por mes qytetarëve dhe sistemit që ka kapur shtetin.
Një shtet i fortë nuk ndërtohet mbi liderë të fortë, sepse në të kundërt kemi autokraci, por mbi institucione të forta.



