Françesku përshëndet shoqatën “Família da Esperança”, impenjuar në mbështetjen e më nevojtarëve: çojuni shpresë atyre, për të cilët, ndoshta, jeta nuk ka më kuptim. Është thirrje për ta dashur Krishtin “pa kushte, në njerëzit, që jetojnë në gjendje vështirësie shoqërore”
R.SH. – Vatikan
Indiferencës, “njërit prej problemeve më të mëdha të botës së sotme”, duhet t’i përgjigjemi me shpresën, që na lejon “të kujdesemi për njerëzit në tërësinë e tyre materiale dhe shpirtërore, korp e shpirt”. Papa Françesku pret shoqatën “Família da Esperança”, lindur në Brazil para 40 vitesh për të ndihmuar më nevojtarët.
“Një nga problemet më të mëdha të botës së sotme është indiferenca, siç kujtoj në neciklikën ‘Fratelli tutti’. Ndërsa ju nuk keni mbetur indiferentë para dhimbjes, që keni parë në sytë e shumë të rinjve, të prekur nga vuajtje të mëdha ekzistenciale, sidomos në sytë e atyre, të cilëve u është shkatërruar jeta nga droga e nga varësitë e ndryshme. Jeni bërë ‘të afërm’, madje, ‘vëllezër’ për shumë njerëz, që i keni mbledhur nga rruga e, si në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë, i keni shoqëruar për t’i kuruar, për t’i shëruar e për t’i ndihmuar të gjejnë dinjitetin”.
Duajeni Krishtin, përmes të varfërve
Ati i Shenjtë kujtoi zanafillën e shoqatës, e cila lindi nga kërkesa për ndihmë e një të riu, që donte të dilte nga bota e drogës. Në secilin prej të ndihmuarve, u nënvizoi Papa anëtarëve të shoqatës braziliane, shikoni Krishtin e çojuni shpresën e Tij, duke i dashur pa kushte njerëzit, që jetojnë në gjendje vështirësie shoqërore.
“Çojuni shpresën. Ju e dini mirë se të çosh shpresën do të thotë jo vetëm të ndihmosh për të fituar mbi veset, për të kapërcyer traumat, për të gjetur vend në familje e në shoqëri… Thirrja juaj për shpresë, si dhuratë dikuar në ju nga Shpirti Shenjt, ju bën të kujdeseni për njerëzit në tërësinë e tyre materiale e shpirtërore, korp e shpirt”.
Përkrahja për nevojtarët
40 vjet pas themelimit të Família da Esperança, ka njerëz të rinj, që kanë për detyrë ta rajnë dhe ta çojnë përpara këtë trashëgimi. Papa i fton anëtarët e shoqatës të mos kenë frikë “nga kjo fazë e re”, por ta jetojnë atë me përvuajtëri, me fe, duke ruajtur unitetin shpirtëror.
“Ju jam shumë mirënjohës për punën që bëni me meshtarët, seminaristët, rregulltarët dhe rregulltaret, duke i ndihmuar të kapërcejnë sfidat dhe problemet psikologjike, që prekin disa njerëz, të cilët ia kanë kushtuar jetën Zotit. Vazhdoni me këtë punë të bukur, e cila është aq e nevojshme për Kishën!