Kryetarja e Partisë Demokratike në Lezhë Alfrida Marku, njeherazi dhe anetare e Këshillit Bashkiak ka denoncuar demin ekonomik të shkaktuar nga Bashkia Lezhë, si pasojë e krijimit të debitorëve për moslikujdime të taksave e tarifave vendore.
Sipas Raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për 4 mujorin e parë të vitit 2023, Bashkia Lezhë ka shkaktuar një dëm prej 402 milionë lek, si pasojë e krijimit të debitorëve për moslikujdime të taksave e tarifave vendore.
402 milionë lek të munguara në Buxhetin e Bashkisë, 402 milionë lek investime të munguara për banorët e Lezhës taksapagues të rregullt.
Në mbledhjen e datës 27 korrik të Këshillit të Bashkisë Lezhë kam shtruar këtë problematike, duke vënë theksin te fakti se përderisa kjo “neglizhencë” në mbledhjen e taksave e tarifave vendore përkon edhe me periudhën zgjedhore, të dhënat shërbejnë si indicje se qëllimi ka qenë rezultati zgjedhor kurse mjetet kanë qenë të shumta: nga blerja direkte deri indirekte e votës ose heshtjes.
Të ndodhur përballë shifrave, drejtuesit e Bashkisë zgjodhën të intimidojnë e bëjnë presion ndaj opozitës, duke harruar se janë aty për të dhënë llogari e jo në mbledhjet e Partisë së tyre për të ndarë pazaret e influencat e paligjshme (Mund ti referoheni pamjeve video së kësaj mbledhje, e ndërprerë qëllimisht disa herë, e publikuar në faqen e fb të Këshillit të Bashkisë Lezhë).
Mesa duket, fushata e fundit zgjedhore ka detyruar drejtuesit e Bashkisë të “promovojnë” fushatën e neglizhencës së qëllimshme për të mbledhur taksat e tarifat vendore.
Bashkia është institucioni përgjegjës për mbledhjen e menaxhimin e taksave tona që këto të fundit të kthehen në shërbime, e si e tillë duhet të mbajë përgjegjësi edhe për keqmenaxhimin.
Duhet përgjegjësi e jo arrogancë !
Duhet dhënë llogari e jo Propagandë !



