Komisioni i Ligjeve ka marrë në shqyrtim të gjitha kandidaturat e paraqitura dhe që kanë shprehur interesin për pozicionin e Avokatit të Popullit.
Komisioni i Ligjeve ka pranuar verifikimin paraprak të bërë nga administrata e Kuvendit dhe në përfundim ka vendosur se kandidaturat e paraqitura plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë Avokat Populli, duke bërë dhe vlerësimin e meritës së gjithë secilit prej tyre.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, bëri të ditur se lista e 15 kandidaturave të kualifikuara sëbashku me Raportin e Komisionit të Ligjeve për vlerësimin e meritës për secilin prej tyre, do tu përcillen brenda ditës së sotme grupeve parlamentare dhe të gjithë deputetëve të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, për të dhënë mbështetjen e tyre për kandidatët preferencial sipas kërkesave të ligjit.
Sipas parashikimeve të ligjit, kandidatët që marrin mbështetjen e minimalisht të 28 deputetëve, do të përfshihen në seancë plenare për votim. Kushtetuta dhe ligji nuk diktojnë nëse kjo mbështetje jepet nga deputetë të mazhorancës apo opozitës.
Avokati i Popullit drejtohet nga Erinda Balanca, mandati i së cilës ka përfunduar në 20 qershor 2022. Në seancën e 22 dhjetorit 2022, Kuvendi dështoi për zgjedhjen e kandidaturave për Avokat të Popullit, ndërsa në garë ishin Ledio Braho dhe Altin Goxhaj, dy kandidatura të mbështetura nga opozita, por që u rrëzuan me votat e deputetëve socialist, në një seancë ku ndaj kryeministrit u hodhën akuza për pazare dhe intimidim deputetësh.
Lista e kandidateve që janë kualifikuar sot dhe që konkurojnë për postin e Avokatit të Popullit, janë:
Ahmet Premçi
Alket Jaupi
Besim Ndregjoni
Bledar Dervishaj
Dardan Mustafaj
Drita Avdyli
Edison Frangu
Endri Papajorgji
Erald Aga
Ilirjan Rusmali
Lefterije Lleshi
Robert Gajda
Sokol Hazizaj
Tartar Bazaj
Vitore Tusha