Kreu i grupit parlamentar të PD i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka bërë një pyetje kryeministrit Edi Rama lidhur me ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Në fjalën e tij, Gazment Bardhi tha se prej ditës, Dako po hyn dhe po del shumë shpesh nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nuk dihet përse.
“E keni vënë re, sa herë i shpërthen një skandal korrupsioni në nivele të larta, Edi Rama nuk di asgjë. Nuk dinte asgjë për Saimir Tahirin, megjithëse ne ia thoshim përditë. Nuk dinte asgjë për inceneratorët, megjithëse ne, prapë, i denonconim përditë. Me shumë gjasë, nuk do të dijë asgjë as për Vangjush Dakon, i cili po hyn e po del shumë shpesh nga SPAK këto kohë. Fraza e vjetëruar e tij se nuk bëhet mburojë për askënd shërbën vetëm sa për demagogji. Dalja nga burgu e Saimir Tahirit i rrëzoi gjithçka dhe provoi se Edi Rama është peng i korrupsionit. Ai është një minues i vërtetë i demokracisë sonë dhe përfaqëson një shans të humbur për mirëqenien e shqiptarëve,”-tha Gazment Bardhi.