Nga Ergys Mërtiri
Në vend që të fillojnë urgjentisht hapjen e garës për të zgjedhur liderin e ri dhe për ti hapur rrugë reformimit dhe ringritjes së PD-së, disa deputetë, po kërkojnë shtyrjen e procesit. Ata pohojnë se PD-së i duhet kohë të reflektojë për të bërë zgjedhjet e duhura.
Interesante është se në këtë krah janë rreshtuar pikërisht ata deputetë që, prej kohësh tashmë, kacavirren me një dorë në PD dhe një dorë në BF, duke pritur të shohin nga do anojë kandari, për tu hedhur në varkën që shpëton pa u mbytur. Por në fakt, kështu ata vetëm po i mbysin të dyja.
Ishin ata që në zgjedhjet e 14 majit penguan PD-në të dalë me kandidatë, nuk dolën të bëjnë fushatë për partinë e tyre në ato pak zona ku arritën të kenë kandidatë, madje, një pjesë prej tyre, dolën hapur në fushatë për kandidatët e BF-së, me justifikimin se duhen bashkuar forcat kundër Ramës. Në fakt, ata u sakatuan “të bashkuar” përballë Ramës, pikërisht sepse, siç e kam thënë gjithmonë, Rama nuk mundet me unitet kalbësirash, por me moral, kredibilitet dhe vizion politik.
Sot, ata vonojnë procesin e hapjes së partisë duke rikërkuar bashkimin shterp midis dy grupeve politike të ndara tashmë për vdekje, ndërsa nuk vërejnë se 250 mijë votues të djathtë u kanë kthyer shpinën duke mos dalë të votojnë. Në vend që të punojnë për të prodhuar një ofertë për këta votues, ata artikulojnë qendrime politike që e mbajnë opozitën në statusquo-në e batakut ku ka rënë e ku e zhytën ata vetë dhe Saliu në anën tjetër.
Të pengosh dhe vonosh hapjen e procesit të garës për kryetar dhe të reformimit të partisë është një krim ndaj opozitës. Nuk iu mjaftoi një vit e kusur në pasivitet të plotë, pa organizim, pa aktivitet, pa lidership, pa asnjë përpjepkje për ta mbajtur gjallë atë parti, por, edhe tani kur është momenti deciziv për ta risjellë atë në jetë, ata prapë kërkojnë kohë!
Deri tani, duke kërkuar kohë, ata vetëm kanë humbur kohë dhe, për pasojë, ai që e ka fituar këtë kohë ka qenë vetëm Berisha, i cili ka arritur t’ua marrë strukturat pak e nga pak, t’i sulmojë egërsisht me akuza e shpifje nga më banalet, ti paralizojë e neutralizojë politikisht duke i shndërruar në një grupim të traumatizuar e pa peshë politike.
E megjithatë, edhe kështu e sakatuar, pa organizim, pa lidership definitiv, pa para, pa media, pa fushatë, pa ofertë politike e madje pa dalë fare nga shtëpia, të sulmuar, linçuar, tallur e përqeshur, nga media oligarkike dhe e gjithë armata e portaleve, analistëve, memexhinjve të rekrutuar kundër tyre, sigla e PD-së zyrtare arriti të marrë 100 mijë vota, përballë 246 mijë votave të Berishës dhe Metës bashkë. Pra diferenca me Berishën, duket fare e vogël duke llogaritur që LSI-ja mori 100 mijë vota në zgjedhjet paraardhëse në momentin e saj më të dobët historikisht.
Këto 100 mijë vota, si dhe mbi 250 mijë të tjerat që munguan në votime (pa llogaritur këtu elektoratin gri), janë qartazi antiberishiste dhe çdo përpjekje për t’ua kthyer atyre shpinën, në këmbim të përfitimeve dylekëshe në lojën e vogël me dy porta me foltoren, është thjesht maskarallëk politik. Opozita sot ka shansin të ringrihet duke hapur garën për një të ardhme të re politike, të distancuar nga Berisha dhe berishizmi, i cili është i destinuar të shuhet. Kjo është e vetmja mundësi për të pasur një ofertë politike serioze dhe e vetmja mënyrë për të pasur një identitet politik për këtë grupim. Në të kundërt, opozita rrezikon të shkatërrohet e thërmohet duke i dhënë pushtet të përjetshëm një qeverie kaq të korruptuar sa kjo. Ky është treni i fundit humbja e të cilit do të shkatërronte përfundimisht ringritjen e saj.