Edhe e keqja nuk është pa moral

Ashtu si e mira, edhe e keqja nuk është pa moral. Edhe ajo ka moralin e saj. Moral i cili sa vjen e bëhet më i qartë në orët e ditët që pasuan këtë fushatë elektorale, më shumë unike se e rrallë.
Që me shpalljen e fituesëve për kryetarë bashkish, u pa qartë trendi i pritshëm, se opozita e shpartalluar në luftën e saj të brendëshme, e kishte humbur davanë dhe Janinën bashkë. Megjithatë, nisur nga fakti se njeriu beson në atë që shpreson, kishte dhe nga ata eksponentë (kryesisht nga foltorja) te PD-së, që besonin në mrekullinë që nuk mund të ndodhte, e nuk ndodhi.
Personalisht, dhe si shumë të tjerë, nuk kam patur kurrfarë pritshmërie për rrezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë që isha i bindur, se lufta e vërtetë mes dëshirave dhe qëllimeve shumpalëshë në këtë histori, do të fillonte pikërisht pas datës 14, ashtu sic dhe ndodhi.
Pa kaluar akoma 72 orë nga përfundimi i votimeve, dhe pa asnjë analizë të denjë të quhet e tillë, kupola berishiste, e infiltruar fillimisht si oponencë e berishizmit ne mesin e PD-së, filloi sulmin e hapur në kërkim të kurbanit që do të përligjë humbjen që vetë gatuan me shumë zell.
Cdo njeri që ka për zemër fatin e PD-së, gjatë këtyre ditëve të kësaj fushate, ka pyetur vehten i habitur se ku ishin ata, që sot po ngrenë zërin si të indinjuar e të brengosur për rrezultatin!? Ku ishin këta deputetë, që dy vjet më parë hipën falas në autobuzin e politikës falë reformës elektorale që vrasësi i së djathtës Berisha gatoi me homologun e tij Rama në 2008!? Ku ishin Grida Duma, Agron Gjekmarkaj, Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Cupi, Dashamir Sula e shumë të tjerë, ndërkohë që PD-së i kishin mohuar edhe fondet që i garanton ligji!?
Në rastin më të mirë heshtën paturpësisht, e në rastim më të keq bënë c’ishte e mundur me qëndrimet e tyre të hapura e të fshehta, që PD-ja të dështonte për ti kërkuar llogari më pas, atyre që me mund e sakrifica personale, u përpoqën me gjithë shpirt, për të ruajtur dinjitetin e asaj PD-je, që të lartpërmendurit nxituan ti ngulnin pas shpine thikën e pabesisë, në garë me njëri tjetrin se kush do t’ja ngulte më thellë e më fort.
I kam ndjerë në zemër këto thika. Ashtu sic I kanë ndjerë edhe shumë të djathtë të këtij vëndi, që besuan e besojnë se kjo është ora e së vërtetës që kërkon shpagim. Shpagim ndaj mashtrimit universal që për 32 vite mbajti veshur padrejtësisht petkat e saj. Të asaj së vërtete që përbuz narkozën e mashtrimit, me të cilën Berisha e jenicerët e tij përdhosën endërrat e shpresën e shqiptarëve për një shtet kushtetues e të së drejtës. Përmes së cilit, Shqipëria do të zinte vëndin e nderuar që I takon përkrah Amerikës e vlerave që bënë Amerikën aleatin e dashamirin tonë më të madh.
Thënë kjo, natyrshëm lind pyetja: ku e gjejnë kurajon dhe moralin këta personazhe, të përmbysin e të mohojnë të vërtetën!? Ku e gjejnë kurajon dhe moralin të veshin togën e gjygjtarit, për të gjykuar pikërisht ata të cilët I braktisën në mes të vështirësive gjatë përballjes me klanin mavi!? Kush mendojnë se ja u jep këtë të drejtë!?
E pikërisht janë këto pyetje që gjejnë përgjigje në moralin e së keqes.
Të asaj së keqeje që ndonjërin prej tyre e bëri deputet edhe pa qënë asnjë ditë antar I PD-së. Të asaj së keqeje që me pa të drejtë ja u krehu bishtin me poste, përfitime, ofiqe e grada, nga të cilat ata u bënë dikushi, e që po ti zhveshësh nga ato, nuk mbetet më asgjë prej tyre. E kjo është pikërisht ajo që ata I tremben më shumë, daljes në dritën e së vërtetës që pashmangshmërisht I kthen aty nga e keqja I nxorri. Nga hici I madh.

Gjergj Hani

Latest articles

Related articles