Ka shumë vite që niveli i ndotjes së ajrit është një nga problematikat më serioze të Tiranës. Testimet kanë qenë të pakta, por nëse do të flitet për matje serioze të bëra publike, e fundit i përket vitit 2022 kur Instituti për Zhvillimin e Habitatit CO-Plan, monitoroi katër qytete, përfshi edhe Tiranën.
Ndotja, ashtu siç pritej, rezultoi të ishte përtej normës së lejuar nga Bashkimi Europian, me përqendrim prej rreth dy herë mbi normën të dioksidit te karbonit. Faktorë kryesorë të ndotjes, sipas studimit ishin mjetet motorike dhe sektori i ndërtimit.
Nisur nga këta tregues aspak normal të vitit të kaluar, emisioni ‘Piranjat’ ka kontaktuar laboratorin e specializuar ‘Neotes’, në Salerno të Italisë, dhe i ka kërkuar bashkëpunim për të mundësuar matjen e nivelit të ndotjes në Tiranë. Ekspertët italianë erdhën në Shqipëri (Tiranë) dhe instaluan aparaturat e matjes në 20 pika të ndryshme të shpërndara në të gjithë Tiranën. Përkatësisht në ‘Unazën e Re’, pas 15 katëshit, tek ish stacioni i trenit, tek ura e Drejtorisë së Policisë, tek Brryli, pranë ‘Gardës së Republikës’, tek rruga ‘Don Bosco’, tek rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës, Kopshti Botanik, Tregu Industrial ‘5 maji’, Astir, 9 katëshet, Kombinat, Katedralja Katolike.
Pajisjet ‘Radielo’ që u përdorën, ishin të teknologjisë së lartë, me filtra të ndjeshme dhe me saktësi të madhe. 20 te tilla u lanë në ambient të hapur për 8 ditë nga data 28 mars 2023 deri më 5 Prill 2023.
Ekspertet italianë, pas verifikimeve dhe analizave, kanë shpjeguar për ‘Piranjat’ se rezultati është ALARMUES! Raporti i detajuar i laboratorit italian, tregon për një përqendrim në vlera të larta e të paktën dy komponentëve, Dioksidi i Azotit dhe benzeni.
Dioksidi i azotit kap vlerën e 53.3 mikrogram për metër kub, nga 40 mikrogram për metër kub. Ndërkohë shumë shqetësuese është situata e përqendrimit të benzenit që vlera mesatare është 21.3 mikrogram për metër kub, nga mesatarja europiane prej 5 mikrogram për meter kub. Pra, jemi me katërfishin e vlerës mesatare europiane.
Zonat me ndotjen më të lartë nga benzeni, rezultojnë rruga Arkitekt Kasemi, te Brryli me 101 mikrogram për metër kub, nga 5 mikrogram që është mesatarja europiane dhe rruga Gjergj Legisi – Blloku Gintash, me një përqendrim prej 84.1 mikrogram për metër kub nga 5 mesatarja europiane.
Në raportin përfundimtar të ekspertëve italianë të laboratorit ‘Neotes’, bëhet edhe një panoramim i efekteve toksike të benzenit, ku citohet se kjo lëndë është me përqendrim të lartë toksine, dhe efektet toksike të saj varen nga përqendrimi i vlerave dhe nga kohëzgjatja e ekspozimit. Vlerat më të ulëta mund të shkaktojnë përgjumje, marrje mendsh, takikardi, dhimbje koke, dridhje, situatë konfuzioni apo humbje të vetëdijes. Në raport gjithashtu sqarohet se edhe në rast vlerash të ulëta, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj benzenit, mund të paraqesë rrezikshmëri. Në fakt, kjo substancë, është përfshirë në listën e Agjencisë Botërore për Kërkimin mbi Kancerin (IARC), mes substancave që kanë mjaftueshmëri të kancerogjenitetit tek njerëzit.
Efekti kryesor i një ekspozimi kronik ndaj benzenit është dëmtimi i indeve kockore dhe pakësimit të qelizave të palcës kockore. Çfarë mund të çojë në ulje të ndjeshme te rruazave të kuqe të gjakut, deri në Leucemi.