Humbja në vitin 2013 shkatërroi imazhin e njeriut të fortë që tallej me socialistët, ndërsa lexonte fjalën e tij të dorëheqjes me kokën poshtë në verën e 2013 Sali Berisha nuk kishte mëshirën e asnjë qytetari gri apo qoftë edhe të ndonjë demokrati. Natyrisht, sytë me lot ishin për ato që ishin bashkëpunëtorë të tij, mes tyre dhe Lulzim Bashën, që lotonin për një njeri që e kishin dashur.
Për shqiptarët, dmth për një milion shqiptarë që e votuan kundër, edhe me gjasë edhe për demokratët Berisha ishte një e shkuar që duhet të ndryshohej dhe të harrohej. Këtë sinjal e mori për herë të parë në protestën e armëve kimike ku u prit me fishkëllima dhe fyerje nga të rinjtë dhe qytetarët që ishin të gatshëm ta linin këtë protestë vetëm nga afrimi i tij.
Rruga e gjatë e rekuperimit të Berishës dhe shndërrimit në një legjendë është gjithashtu një rast interesant studimi. Përmes makinacioneve dhe një opozite që e detyroi të vepronte sipas tij, Berisha ngriti mitin se ai është i pamposhtur. Fillimisht qenë akuzat ndaj Metës pasi ikja e tij ndikoi në humbjen e pushtetit në 2013. Andej nga viti 2015 Berisha nisi të përhapte tezën (përmes surrogatëve të tij) se në fakt i kishte ofruar Metës shumë pushtet që të mos bëhej me Ramën, por ky kishte refuzuar.
Kur Meta i përkujtoi dorëheqjen e vetme që ka dhënë për djalin e tij gjatë një seance parlamentare, Berisha nisi të përhapte tezën se vetëm përmes Ilir Metës mund të vinte në pushtet PD. Kjo tezë erdhi fill pas zgjedhjeve të 2015, madje përkoi me humbjen e ish kryebashkiakut të Kukësit që nga PD shkoi dhe kapërceu ylberin tek LSI.
Një tjetër legjendë që ai nisi të thurrte për veten e tij është ajo e njeriut të ftohtë dhe kriminal nga i cili ka frikë edhe Edi Rama. Gjatë mandatit të parë qeverisës, Sali Berisha i përgjigjej Ramës me një replikë të gjatë që ishte më shumë një përro psiqik se sa një argumentim politik. Synimi i tij ishte që të barazonte veten e tij me Edi Ramën për t’i thënë amerikanëve dhe shqiptarëve që ai është figura e opozitës.
Më pas, ai nisi të ndërtonte legjendën për veten e tij se nuk kishte humbur beteja madje se ishte njeriu i shesheve. Përmes këtyre dy të fundit ai u përpoq që të ndizte lëvizjen e Foltores pas 9 shtatorit 2021.
Të gjitha këto sajesa janë krijuar pas zgjedhjeve humbëse dhe poshtëruese të vitti 2013 ku Sali Berisha morri po aq vota kundër sa Ramiz Alia. I kompleksuar dhe turpëruar ai sot po kërkon të rikuperojë duke imituar Ramën. Disa ditë më parë ai ka postuar një “podcast” në të cilin flet vetë për veten pa asnjë bashkëbisedues me një palë syze dielli që i përdori kur u godit në 6 dhjetor.
Ai mendon se duke u sjellë si Rama dhe duke e rivalizuar atë me fjalë do të fitojë pikë në qytet. Në fakt, po ndodh e kundërta dhe dëshmi për dështimin e Berishës është tek hapja e fushatës së Bashkimi për Fitore, kaolicioni i drejtuar nga Ilir Metaj, ku u panë më pak se sa 3000 pjesmarrës. Një numër të tillë ndoshta e ka pasur Partia Demokratike në vitin 2017, fiks pas çadrës së mbyllur.
Realiteti që duhet të shohin të gjithë, e veçanërisht demokratët, është se Sali Berisha nuk është as figura legjendare që kanë krijuar në mendjet e tyre. Berisha e kultivoi këtë figurë për veten e tij disa vite pas humbjes poshtëruese në 2013. Legjenda që ka stisur për veten e tij është aq fraxhile saqë koha do tregojë thyerjen fundore të mitit të tij në sytë e demokratëve që ende besojnë në përrallat e tij.