Protestat në Francë për reformën e pensioneve, policia arreston 111 protestues
Franca po përballet me protesta mbarëkombëtare ndaj reformës së pensioneve.
Policia ka arrestuar 111 persona në protestën kundër reformës së pensioneve në Francë. Punonjësit e sektorëve të arsimit, energjisë dhe transportit dolën në grevë kundër reformës së pensioneve të qeverisë në gjithë vendin, duke shënuar ditën e 11-të të protestave në vend.
Demonstruesit hodhën gurë në drejtim të policisë, thyen xhamat e një banke dhe një dyqani sidhe u vunë zjarrin disa pronave publike dhe njërit prej restoranteve të preferuara të presidentit francez Emmanuel Macron në Paris.
Policia iu përgjigj protestuesve me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin tha në Twitter se 154 pjesëtarë të forcës së sigurisë janë plagosur dhe 111 persona janë arrestuar në demonstratat në gjithë vendin deri më tani.
Sindikatat njoftuan se rreth 2 milionë njerëz kanë marrë pjesë në protestat në gjithë vendin, ata u bënë thirrje francezëve të dalin në rrugë dhe të mbajnë grevë përsëri më 13 prill.
Tensionet politike dhe sociale u rritën kur presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministrja Elisabeth Borne vendosën të përdorin kompetenca të veçanta kushtetuese, përkatësisht nenin 49.3 më 16 mars, për t’ia hapur rrugën planit pa miratimin e parlamentit.
Vendimi u nxit nga frika se ligjvënësit do të mund të bllokonin reformat pasi qeveria nuk ka shumicë absolute në legjislaturë.