Kalon për gjykim të shkurtuar dosja ‘Gërdeci’, Fatmir Mediu zyrtarisht i pandehur

Të enjten e 6 prillit, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që të kalojë për gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen Gërdeci.

Mediu nuk u paraqit në seancën paraprake të ditës së sotme, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës.

Trupi gjykues vendosi të pranojë gjykimin e shkurtuar për rastin. Seanca në themel është parashikuar të mbahet më datë 24 prill, ora 08:30.Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit nuk janë pranuar si palë në gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Avokati Dorian Matlija, u shpreh se ky proces duhet të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve.

“Unë nuk e konsideroj të vlefshme këtë si procedurë. Familjarët e viktimave duhet të ishin aty. Do jemi prezent edhe në seancën tjetër. Do të paraqesim kërkesat tona. Gjykimi i shkurtuar patjetër që do të pranojë kërkesën e të pandehurit. Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve”, tha avokati.

Disa javë më parë, Prokuroria e Posaçme SPAK e dërgoi dosjen për gjykim në GJKKO.“Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin”, shkruante SPAK në njoftimin zyrtar.

Gjithashtu bëhej me dije se gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

“Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale”.

Më 10 janar ai u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.

Mediu deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve, pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej bëhej me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Latest articles

Related articles