Amerikën e korruptuar dhe kundër shqiptarëve e propagandojnë vetëm kaçakët e Shqipërisë


Nga Indrit Vokshi

Po na thuhet: ambasadorja amerikane është “mike e Edi Ramës”!
Si mund të jetë një ambasadore “mike” e kryeministrit të një shteti tjetër? Si ka mundësi, braktis shërbimin ndaj Amerikës për t’i shërbyer Edi Ramës?
Mesa dimë ne, mesa na jep leksion historia e shteteve, prej kur ka lindur njerëzimi e deri sot, ambasadori i dikujt-diku, nuk ka miq. Ai zbaton porositë e shtetit që e cakton ambasador. Përshembull të njejtat fjalë si Juri Kim, identik, tha në Kongres edhe ambasadori i ardhshëm David Kostelancik.
A është i kapur nga Rama edhe ky, ende pa ardhur?
Imagjinojeni pak, ambasadori Kostelancik di shqip, turqisht, rusisht e hungarisht, ka shërbyer në disa ambasada e në disa pozicione për interesat e Amerikës, pa e kapur askush. Kudo e kurdoherë u ka shërbyer me devocion interesave amerikane e prandaj caktohet në detyra të reja. Vetëm në rastin e Shqipërisë, ai devijon, nuk i shërben më Amerikës si gjithmonë por e kap Rama dhe i shërben Ramës. A e kuptojnë çfarë na thonë? A e kuptojnë se është fyerje e logjikës dhe e diturisë mbi shtetet? A e kuptojnë sa humoristikë e mediokër ngjajnë?
Vetëm kryesori e kupton. Të tjerët jo. Të tjerët thjesht e transmetojnë dhe e riprodhojnë. Kryesori e shpërndan mesazhin qesharak sepse i flet një audience e cila nuk kupton në ketë fushë të politikës. E ka të nevojshëm ketë mashtrim të trashë por që i ngjit.
I ngjit ngaqë këta i përfytyrojnë ambasadorët e perandorisë si të ishin ambasadorët e tyre; miq, krushq, kushërinj, vëllai i këtij, motra e atij, halla, tezja, dhëndri, shoqja e shokut dhe shoku i shoqes.
Kostelancik është ambasadori i tretë i cili vjen me fokus Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar të lidhur me politikën. Kjo tregon se ajo temë është politikë e jashtme e shtetit amerikan dhe ambasadorët kanë detyrë vetëm ta çojnë përpara.
Ambasadori amerikan nuk është as pro-shqiptar, as pro-serb, as pro-grek, as pro italian, ai është vetëm pro-amerikan. Zbaton interesat amerikane.
Këta ngaqë nuk kanë guxim të deklarohen haptas kundër Reformës në Drejtësi dhe luftës kundër krimit të organizuar të lidhur me politikën, kanë marrë përsipër ta diskretitojnë dhe ta minojnë imazhin e ShBA në opinionin publik shqiptar.
Iu thonë shqiptarëve se armiqt e Shqipërisë janë strehuar në zyrat në Washington. Përpjekje e dëshpëruar dhe pa rezultat sepse përveç kontigjentit të militantëve të rëndomt, shqiptarët nuk i besojnë kësaj propagande.
Shqiptarët njohin atë Amerikën që i ka ndihmuar dhe me të cilën u janë përputhur interesat në Ballkan. Amerikën e korruptuar dhe kundër shqiptarëve e propagandojnë vetëm kaçakët e Shqipërisë. E propagandonin para vitit 1990, po e propagandojnë edhe në vitin 2023. I njejti kontigjent njerëzish nga e njejta fole.

Latest articles

Related articles