Zv.presidenti i KE-së në Tiranë, jep mesazhin e fortë: Eliminimi i korrupsionit duhet bërë në gjithë nivelet

Shqipëria është në miljen e fundit të maratonës kundër korrupsionit dhe kjo duhet bërë pa kompromis. Zv.presidenti ekzekutiv i Komisionit Europian, Frans Timmermans i tha Televizionit Publik Shqiptar në një intervistë të posaçme se edhe në çështjet e klimës aspekti më i rëndësishëm është eliminimi i korrupsionit.

“Le të mos i biem rrotull. Aspekti më i rëndësishëm është eliminimi i korrupsionit dhe kjo duhet bërë në gjithë nivelet, nëse doni të siguroheni se në këtë vend është e lehtë të bëhet biznes, dhe nëse investoni në këtë vend, ai është i sigurt. Shqipëria ka arritur shumë tashmë në këtë fushë, por më e rëndësishmja në një maratonë është milja e fundit dhe kjo ka qenë maratonë prej dekadash, ka përmirësime, por ende nuk kemi mbërritur aty. Duhet ta përmend, pasi është e vështirë, por duhet bërë”, tha zv.presidenti i KE.

Pyetje: Referuar misionit tuaj si drejtues i Komisionit për Marrëveshjen e Gjelbër europiane si dhe synimit europian për arritjen e një kontinenti europian neutral ndaj klimës deri në 2050, çfarë duhet të kuptojnë qytetarët shqiptarë?

Frans Timmermans: Mendoj se është e rëndësishme që të bëjmë diçka për të ndalur rritjen e temperaturave sepse me 1.2 gradë rritje që shohim tani, me thatësira dhe modelet e çrregullta të motit, e të korrat që shkojnë keq, dhe Shqipëria gjithashtu po i përjeton këto, kështu që është shumë e rëndësishme që të fillojmë të ndryshojmë ekonominë tonë, të fillojmë të reduktojmë emetimet, edhe sepse vjen me një mundësi të madhe. Shqipëria është në një pozicion ideal për të qenë pjesë e këtij plani.

Pyetje: Shqipëria ka një marrëdhënie kontraktuale me BE deri sa të arrijë në anëtarësimin e plotë përmes një përafrimi bindës të legjislacionit me BE. Si e shini ju gjendjen aktuale të Shqipërisë duke pasur parasysh këtë aspekt?

Frans Timmermans:  Shqipëria ka një avantazh të madh duke qenë se është një nga vendet me gjurmën më të ulët të karbonit, çka i mundëson të përfitojë më shumë dhe më shpejt nga zhvillimet e reja. Ekonomia e Shqipërisë duhet të zhvillohet në mënyrë rrethore, me menaxhimin e mbetjeve dhe përdorimin dhe ripërdorimin e burimeve dhe deri diku po kthehet pas te një e kaluar që njerëzit e njohin, pra kur u duhej të përdornin materiale të tjera dhe të ishin më qarkullues, me përvojën që kanë pasur njerëzit në Shqipëri, por ajo që është më e rëndësishme Shqipëria ka një pozicion të jashtëzakonshëm burimesh natyrore që janë të paprekura dhe përdorimi i tyre për sektorin e turizmit të qëndrueshëm dhe sektorin e shërbimeve që përdor ekonominë qarkulluese, zhvillimin e bujqësisë në mënyrë të qëndrueshme është një mundësi e madhe për ekonominë shqiptare. Në këtë kuptim, Shqipëria është në pozicionin më të mirë për të përfituar nga ndryshimet që po bëjmë në Bashkimin Evropian.

Pyetje: Vendet anëtare të BE do t’i përmbushin objektivat e klimës duke qenë pjesë e BE, ndërkohë Shqipëria është pjesë jashtë BE. Si e shihni ju këtë proces për vendet si Shqipëria?

Frans Timmermans: Procesi drejt anëtarësimit ka vlerën e vet është procesi ai që e shndërron vendin, e çon në një nivel më të lartë vendin dhe e bën të kuptojë se si të jetë pjesë me të drejta të plota e një ekonomie shumë të fortë, drejt një Bashkimi Evropian të fortë, që sheh nga e ardhmja, duke i ndryshuar gjërat, duke luftuar korrupsionin, duke e eliminuar atë, duke ndryshuar rregullat e investimit, duke vendosur standarde më të larta sa i takon mbrojtjes së mjedisit. Ju po transformoni vendin dhe çmimi është ky transformim. Nuk kam dyshim se Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pasi ky proces të mbarojë. Nuk kam dyshim, pasi dëshira e popullit shqiptar është aq e qartë për të qenë pjesë e komunitetit evropian, e botës transatlantike, është i vetmi komb në këtë rajon që e ka bërë këtë zgjedhje shumë qartë. Ndaj nuk kam dyshim se ky proces do të jetë i suksesshëm, por është edhe proces i ndërlikuar, ndonjëherë i dhimbshëm ndryshimesh për shumë njerëz. E kemi parë këtë edhe më parë në proceset e zgjerimit. Nuk është kurrë i lehtë, është gjithnjë i vështirë, kërkon shumë, por mos e nënvlerësoni. Është natyra e asaj që bëjmë dhe do ta sjellë Shqipërinë në një nivel shumë më të lartë zhvillimi, në paga më të larta, në zhvillim më të madh ekonomik, standarde më të larta jetese dhe standarde më të larta të mbrojtjes së natyrës, po ashtu.

Pyetje: A ka një aspekt të objektivave të klimës në të cilin Shqipëria është e avantazhuar?

Frans Timmermans: Do të përmendja pasurinë e burimeve tuaja natyrore, pjesa më e madhe e natyrës suaj është e paprekur, por ka nevojë të ruhet. Për shkak të gjurmës së vogël të karbonit, relativisht, Shqipëria është në pozitat për ta përdorur këtë avantazh për të zhvilluar ekonominë. Shikoni sektorin e turizmit, mendoj se është rreth 25% e ekonomisë shqiptare, mund të jetë më shumë, por zgjedhjet që bëni në sektor për të ardhmen do ju ndihmojnë nëse do të jeni pjesë e ekonomisë botërore ose do ta bëjnë më të vështirë. Pra, nëse e zhvilloni turizmin mbi baza miqësore me mjedisin, zbatoni turizmin e gjelbër, për të rinjtë evropianë që duan të udhëtojnë dhe zbulojnë vende të reja, por që janë edhe të ndërgjegjësuar për ndikimin e klimës, nëse e zhvilloni këtë sektor, ai mund të jetë vendimtar për Shqipërinë. Mund të përmend edhe sektorë të tjerë, si sektorin e shërbimeve, sektorin IT. Ka shumë gjëra që Shqipëria mund t’i sjellë në treg dhe mund ta ndihmojnë Shqipërinë të jetë vend shumë i suksesshëm edhe sa i takon reduktimit të gjurmës së karbonit dhe suksesit në ekonominë e qëndrueshme.

Latest articles

Related articles