Deputeti i PD, Lefter Gështenja prezanton nismën ligjore për disa ndryshime në ligjin për nëpunësin civil

Ne muajin Janar kam dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë propozimet per ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për Nëpunësin Civil”, të ndryshuar.
Këto propozime vijne si rrejdhoje e nje pune tre mujore ne konsultim eksperte te fushes, me punonjes te administrates si dhe me te gjithe faktoret dhe aktoret qe impaktohen nga ky projektligji.

Projektligji përbëhet nga 3 dispozita.

Neni 1

Në nenin 4, pika 1, pas gërmës “f”, shtohet gërma “g”, me përmbajtje si më poshtë:

“Postim me përmbajtje politike” është çdo lloj postimi i bërë nga funksionarët politikë apo i bërë nga çdo person tjetër që përmban mesazhe në mbështetje të një funksionari politik, një partie politike apo një kandidati në zgjedhje.

Neni 2

Në nenin 37 “Të drejtat politike”, pas pikës 3, shtohet pikat 4, 5, 6 dhe 7 me përmbatje si më poshtë:

4. Nëpunësit civil ose punonjësit që kryen një funksion jopolitik në administratën publike, i ndalohet të publikojë, reagojë, shpërndajë apo komentojë postime me përmbajtje politike, të bëra në rrjetet sociale.

5. Nëpunësit civil ose punonjësit që kryen një funksion jopolitik në administratën publike, i ndalohet të detyrojë punonjësit e tjerë apo vartësit e tij të publikojnë, reagojnë, shpërndajnë apo komentojnë postime me përmbajtje politike, të bëra në rrjetet sociale.
6. Nëpunësit civil ose punonjësit që kryen një funksion jopolitik në administratën publike, i ndalohet të krijojë grupe komunikimi në platformat elektronike, me qëllim publikimin, reagimin, shpërndarjen apo komentimin e postimeve me përmbajtje politike, të bëra në rrjetet sociale.
7. Nëpunësi civil ose punonjësi që kryen një funksion jopolitik në administratën publike, që vepron në kundërshtim me pikat 4, 5 dhe 6 të këtij neni, mban përgjegjësi penale sipas nenit 328/a të Kodit Penal.

Neni 3
Parashikon hyrjen në fuqi të ligjit 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, në përputhje neni 83, pika 4 të Kushtetutës.

Po perse keto propozim??

Sic jeni në dijeni ne raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Komisionit Evropian dhe Misioneve të OSBE/ODIHR është evidentuar në mënyrë të vazhdueshme përdorimi i administratës publike në fushatat zgjedhore nga partitë në pushtet. Veçanërisht, raportet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, evidentonin përdorimin masiv të burimeve njerëzore dhe të aseteve publike, në favor të partisë në pushtet, Partisë Socialiste.

Ndër problematikat e evidentuara, është edhe detyrimi i punonjësve të administratës publike për të pëlqyer, komentuar apo shpërndarë postimet me përmbajtje politike në mbështetje të funksionarëve politikë, partive politike apo kandidatëve zgjedhorë. Kështu, drejtuesit e niveleve të ndryshme të administratës krijojnë grupe në platformat e komunikimit, siç është plaforma Whatsapp, me përbërje punonjësit e institucionit përkatës. Këta drejtues apo persona të ngarkuar prej tyre, dërgojnë në grup postime të funksionarëve apo partive politike, me qëllim që punonjësit t’i pëlqejnë, komentojnë apo shpërndajnë në rrjetet e tyre sociale.

Në rast se punonjësit refuzojnë apo nuk e kryejnë një veprim të caktuar, ndaj tyre merren masa disiplinore, deri edhe në largim nga puna. Një sjellje e tij përbën një përdorim të qartë të përdorimit të funksioneve publike për qëllime politike, çka është dënueshme penalisht sipas nenit 328/a të Kodit Penal.

Ditët e fundit, në media të ndryshme janë publikuar mesazhe të dërguar nëpërmjet platformave elektronike, ku punonjësve të administratës publike iu kërkohet shkarkimi dhe anëtarësimi i tyre në aplikacionin “Aktiv1sti” të Partisë Socialiste, si dhe kryerja e 25 shkarkimeve nga familjarë, miq dhe të njohur. Të gjithë të anëtarësuarit në këtë platformë duhet t’i bëjnë pëlqime, komente apo shpërndarje postimeve të kryeministrit, kryetarit të Bashkisë Tiranë, ministrave, deputetëve dhe drejtuesve të tjerë të Partisë Socialiste. Madje, aplikacioni përmban edhe një sistem pikëzimi bazuar në numrin e reagimeve.

Skandali nuk ka të bëjë vetëm me faktin se administrata po përdoret për të dhënë një imazh të rremë të mbështetjes politike ndaj qeverisë, por më e rënda është fakti se permes këtij aplikacioni, të gjithë punonjësit e administratës kontrollohen dhe monitorohen deri në dhënien e votës me detyrim për Partinë Socialiste.

Sipas dëshmive të bëra publike nga punonjësit e administratës publike, nëse numri i pikëve të grumbulluara në aplikacion është i ulët, ata janë kontaktuar nga burimet njerëzore, dhe iu është komunikuar masa disiplinore “vërejtje”.
Mjafton te shohesh like, sharet dhe komentet ne faqet e kryemisnitrit, ministrave, kryetareve te bashkive apo drejtuesve te qarqeve, eshte lehtesisht e verifikueshme qe e gjithe adminsitrata eshte e perfshire me detyrim ne kete skandal!
Kjo praktikë jo vetëm dëmton depolitizimin e administratës, por e shndërron atë në një shtojcë të partisë në pushtet.

Eshte fakt qe sot administrata publike nuk vleresohet per performance ne lidhje me sherbimet ndaj qytetarit por per sherbimin ndaj titullarit.

Sic është pranuar nga vetë kryeministri Edi Rama, në datën 30.12.2022, ky aplikacion është vazhdimësi e sistemit të patronazhistëve, i cili fatkeqësisht nuk u hetua sic duhet, në mënyrë që t’i jepte fund praktikave të tilla abuzive.

Kjo nismë i shërben jo vetëm përmirësimit të standardeve zgjedhore, në funksion të krijimit të kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një prej parimeve themelore që duhet të udhëheqë administratën publike, që është parimi i paanësisë politike.

Pikërisht, me synim për t’i dhënë fund përdorimit politik të administratës publike, projektligji i propozuar ndalon çdo nëpunës civil apo punonjës që ushtron një funksion jopolitik në administratën publike, që të postojë, reagojë, shpërndajë apo komentojë postime me përmbajtje politike në rrjetet sociale.
Rregullimet e këtij projektligji përfshijnë edhe ndalimin e detyrimit të kolegëve apo vartësve, si dhe krijimin e grupeve të komunikimit, me qëllim publikimin, reagimin, shpërndarjen apo komentimin e mesazheve politike, duke sanksionuar edhe përgjegjësitë përkatëse në rast shkeljeje të këtyre dispozitave.

Pavarësisht mungesës së vullnetit apo dëshirës së tyre, këta punonjës janë të detyruar të binden, në mënyrë që të ruajnë vendet e punës, në të shumtat e rasteve të vetmet burime të ardhurash për veten dhe familjen.

Prandaj, projektligji i propozuar ka për qëllim që t’i mbyllë rrugë kësaj praktike të paligjshme dhe arbitrare, duke vendosur detyrime të qarta qoftë për nëpunësit civilë apo punonjësit që ushtrojnë funksione jopolitike në administratën publike, ashtu edhe për eprorët apo drejtuesit e organeve publike.
Kështu, projektligji fillimisht ka ofruar një përkufizim të postimeve me përmbajtje politike, me qëllim shmangien e çdo lloj keqinterpretimi apo interpretimi arbitrar. Si të tilla konsiderohen të gjitha postimet e bëra nga funksionarët politikë apo të bëra nga çdo person tjetër që përmbajnë mesazhe në mbështetje të funksionarëve politikë, partive politike apo kandidatëve në zgjedhje.

Më tej, projektligji parashikon ndalimin e nëpunësit civil dhe çdo punonjësi që kryen një funksion jopolitik në administratën publike të publikojë, reagojë, shpërndajë apo komentojë postime me përmbajtje politikë në rrjetet sociale. Po ashtu, projektligji përcakton ndalimin e detyrimit të punonjësve të tjerë apo vartësve, si dhe ndalimin e krijimit të grupeve të komunikimit për të publikuar, reaguar, shpërndarë apo komentuar postime me përmbajtje politike. Në të kundërt, projektligji parashikon se nëpunësi civil ose punonjësi i administratës publike mban përgjegjësi penale, sipas nenit 328/a të Kodit Penal, që ka të bëjë pikërisht me përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.

Projektligji mund të shikohet si kufizim i të drejtave politike apo lirisë së shprehjes, por këto kufizime janë në përputhje me kriteret e përcaktuara nga neni 17 i Kushtetutës.
Kjo pasi, kufizimet janë të bëra me ligj, për një interes publik dhe në përpjesëtim me gjendjen që i ka diktuar. Për të analizuar interesin publik dhe parimin e proporcionalitetit në këtë rast, vlen të përmendim se depolitizimi i administratës përbën një interes të rëndësishëm të shtetit shqiptar, edhe në kuadër të proçesit të integrimit evropian. Nga ana tjetër, situata e krijuar, përmasat e problematikës, kërkojnë një ndërhyrje ligjore urgjente me qëllim adresimin e saj.

Duke pasur parasysh se kryesisht kjo problematikë shkaktohet nga partitë në pushtet, e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë çështje është adresimi nëpërmjet dispozitave ligjore. Përgjegjësia penale në rast të shkeljes së këtyre dispozitave, nuk ka funksion ndëshkues, por parandalues, pasi në këtë mënyrë çdo punonjës apo drejtues në administratën publike, duhet të mbajë parasysh pasojat që mund t’i vijnë nëse kryen veprime në kundërshtim me dispozitat e këtij projektligji. Në këtë kuptim, projektligji është në harmoni me nenin 17 të Kushtetutës, që lejon kufizimet e të drejtave dhe lirive për sa kohë respektohen parimet e ligjshmërisë, interesit publik dhe proporcionalitetit.

Projektligji nuk parashikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit.
Ndryshimet ligjore do garantojnë se asnjë punonjës i administratës nuk do jetë më i detyruar të marrë pjesë me detyrim në mitingje politike, në takime gjoja informuese të qeveritarëve, në shpëndarje apo komunikim virtual, dhe në asnjë platformë të paligjshme si Aktiv1sti.

Këto ndryshime ligjore do i kthejnë dinjitetin administratës publike dhe të gjithë nëpunësve të shtetit të cilët në këto vite janë shantazhuar për vendin e punës apo janë detyruar të punojnë për pushtetin.
Do te kerkoja nga ana Juaj të mos vonojmë miratimin e këtyre ndryshimeve ligjore.

Ju faleminderit!

Latest articles

Related articles