Thashethemet për telefonat e rinj të Apple po qarkullojnë prej muajsh tashmë në rrjetet sociale, dhe tani ka disa informacione mbi çmimet dhe dizajnin e serisë iPhone 15.
Seria iPhone 15 pritej të ishte më e shtrenjtë se modelet aktuale, dhe thashethemet e fundit tregojnë për çmimet e mundshme të modeleve të ardhshme.
Kështu sugjerohet që iPhone 15 standard do të kushtojë 799 dollarë për modelin me 128 GB, ndërsa iPhone 15 Plus do të kushtojë 899 dollarë për variantin 128 GB.Modelet e iPhone 15 Pro dhe iPhone 15 Max do të vijnë në katër variante, kështu që Pro do të jetë në dispozicion me çmime prej 1199 dollarë (128 GB), 1299 dollarë (256 GB), 1499 dollarë (512 GB) dhe 1699 dollarë (1 TB), ndërsa Max duhet të kushtojë 1299 dollarë (128 GB), 1399 dollarë (256 GB), 1599 dollarë (512 GB) dhe 1799 dollarë (1 TB).
Sa i përket dizajnit, fotot e paneleve të xhamit të të gjithë linjës së iPhone 15 janë shfaqur, duke treguar se të gjitha modelet do të kenë Dynamic Island. Përveç kësaj, më parë mësuam se telefonat do të zbukurohen me korniza më të ngushta (1.5 mm) rreth ekranit.
Renderet e reja për iPhone 15 Pro janë shfaqur gjithashtu që tregojnë për kornizat premium titani, të cilat do të zëvendësojnë ato prej çeliku inox dhe duhet t’i bëjnë telefonat më të qëndrueshëm dhe më të lehtë.
Gjithashtu, ne e dimë se modelet standarde të iPhone 15 do të zbukurohen me çipin A16 Bionic të vitit të kaluar, ndërsa modelet Pro duhet të marrin çipset e reja A17 Bionic.