A po investohet Departamenti i Shtetit në zbardhjen e aferës 430 mln eurove?

Raporti i fundit i DASH mbi të drejtat e njeriut dhe mediat ka përmendur mbi dy herë aferën e inceneratorëve. Së pari e ka përmendur në një paragraf të veçantë ku përmend arrestimet e ish ministrit Koka dhe ish deputetit socialist Bllako, ndërsa citon se shuma e përllogaritur e shkuar në korrupsion është mbi 225 mln dollarë.

Herën e dytë në të njëjtin raport përmenden pagesat e gazetarëve dhe mediave që janë marrë nga buxheti i inceneratorëve. “Të dhënat e rrjedhura mbi pagesat në Dhjetor 2021 dhe Janar tregojnë se gazetarë të mirënjohur dhe media kanë marrë pagesa të drejtëpërdrejta nga kompanitë e kontraktuara nga ndërtuesit e inceneratorëve. Kompanitë e tyre janë nën investigim për korrupsion dhe mashtrim”

Ky paragraf është kuptimplotë dhe më shumë se sa një informacion që shqiptarët e kanë të qartë për çfarë bëhet fjalë tregon se SHBA po i siguron qytetarët e këtij vendi se e di mjaft mirë se kush është pas kësaj afere. Vendosja e inceneratorëve në raport tregon edhe një herë vëmendjen që kanë ndaj aferave të tilla korruptive Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amabsadorja Kim në intervistën e vjeshtës së vitit të shkuar nënvizoi qartazi se tek Inceneratorët është vëmendja e Departamentit të Shtetit Amerikan.

Pak më herët, në vitin 2023, një gazetar nxorri të dhëna të tjera që gazetarë shumë afër lëvizjes anti-amerikane të Sali Berishës dhe Metës ishin paguar me shifra të majme nga ish zv kryeministri Ahmetaj. Jo vetëm kaq por media me peshë që kanë mbështetur Sali Berishën dhe që kanë errësuar dhe redaktuar kronika kundër inceneratorëve, ishin paguar gjithashtu nga përfituesit e inceneratorëve.

Për të dyja këto palë që sot edhe janë në luftë me njëri tjetrin, Departamenti i Shtetit Amerikan ka një mesazh të qartë. Lufta kundër tyre është e panegociueshme pasi ata janë peshqit e mëdhenj pas të cilëve fshihet trekëndëshi i Bermudës.

Investimi personal i Departamentit të Shtetit duket se kyç një herë e mirë dyshimet se SPAK mund të mos e hetojë Arben Ahmetaj për aferën e inceneratorëve. Një dyshim i arsyeshëm që ka lindur pasi dosja e tij është fraksionuar nga Prokuroria Speciale. Me çduket, raporti i DASH heq çdo ekuivok për vëmendjen që institucioni i rëndësishëm i shtetit amerikan ka ndaj kësaj çështje.

Përfituesit e një hetimi të plotë dhe gjithpërfshirës të kësaj afere janë jo vetëm Partia Demokratike që ishte në ballë të kërkesave dhe retorikës së fortë politike por edhe shqiptarët. Mbase ata do jenë dëshmitarë të një hetimi dhe gjykimi të një grupi të strukturuar kriminal për aferën e 430 mln eurove që vetëm deri më tani mendohet të jenë abuzuar mbi 225 mln dollarë.

Latest articles

Related articles