Rama propozon Vlora Hysenin për kreun e SHISH

Kryeministri Edi Rama i ka propozuar presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit për kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar.

Këtë gjë e ka bërë me dije vetë kryeministri Edi rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se emri i Vlora Hysenit përbën një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.

“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.” shkruan Rama.

Profil

Znj. Vlora Hyseni shërben si këshilltare e Kryeministrit për sigurinë pranë Kabinetit të Kryeministrit.

Znj. Hyseni është diplomuar në fushën e drejtësisë dhe e specializuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, Znj. Hyseni ka përvojë profesionale mbi 11-vjeçare në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, politikë të jashtme, çështjeve të sigurisë së brendshme dhe ndërkombëtare, menaxhimin e personelit, menaxhimin dhe administrimin e institucioneve, hartimin e legjislacionit, hartimin e dokumenteve dhe politikave strategjike për institucionet e zbatimit të ligjit dhe administratën publike.

Specializimi i saj dhe përvoja parësore përfshijnë, gjithashtu, fushën e shërbimeve të inteligjencës, hetimin e inteligjencës, identifikimin dhe verifikimin e burimeve të inteligjencës.

Znj. Vlora Hyseni ka përvojë të gjatë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe ka marrë pjesë në shumë trajnime dhe përfaqësime vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, në temat që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe transnacionale, marrëdhëniet ndërkombëtare, shërbimet e sigurisë dhe politikat kombëtare.

Latest articles

Related articles