Drejtuesi i PD Alibeaj bëri thirrje për bashkim ditën e djeshme duke caktuar grupin negociator, por Berisha nuk ka pranuar. Duke folur në MCN Live për takimin që Alibeaj zhvilloi dje me një grup deputetësh, deputeti demokrat Ramadan Likaj tha oferta që kandidatët e primaret të regjistrohen në siglën e PD është e sinqertë. Ai thekson se propozimi i është bërë Rithemelimit që para 3 muajsh, dhe ngërçi qëndron te grupi i Berishës. Likaj tha se në diskutimet e deputetëve të PD është theksuar që Basha nuk është kryetar i PD dhe kjo është taksative. Likaj tha se është i gatshëm të dorëzoj mandatin për të qenë kandidat i vetëm për bashkinë e Malësisë së Madhe.
Ishte një takim disi i gjatë, por që ia vlejti, pas situatës të datës 3. Ne si deputetë kemi qenë të interesuar që PD të bashkohet. Formula jonë është shumë e sinqertë, për sa kohë gjithë baza, gjithë njerëzit presin që PD të jetë e bashkuar, dhe të dalim me një kandidat të vetëm. Ne kemi ripërsëritur për të disatën herë, që PD duhet të jetë e bashkuar. S’jemi marrë as me Berishën, as me Alibeajn, as me Bashën. Interesi i demokratëve është që të jemi bashkë në zgjedhjet lokale. Pas zgjedhjeve lokale PD do ketë kohë për t’u marrë edhe me gjëra të tjera.
Dua të citoj diskutimin tim të djeshëm në grupin parlamentar. Diskutimi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë që Basha nuk është për asnjë moment kryetar i PD, kjo është taksative. Çdo lloj diskutimi jashtë situatës aktuale që ka PD, mendoj që është i tepërt. Në zonën time elektorale, Malësinë e Madhe, ka më shumë se një vit, e kam thënë në takimet me Berishën dhe Alibeajn, kam thënë që ne do jemi të bashkuar. PD duhet të jetë e bashkuar te sigla. Duhet të gjejmë një konsensus për një kandidat të përbashkët dhe të jemi fitues në zgjedhjet lokale. S’kemi pse të merremi me Berishën dhe Bashën. PD s’është në dorën e dy individëve, por të demokratëve. Ne nuk kemi thënë ndonjëherë që Alibeaj do jetë lider apo e ardhmja. Është i mandatuar për të drejtuar PD deri në 14 maj”.
Asnjëherë deri në këto momente ne s’kemi reshtur. Të gjithë kolegët, si ata të z.Berisha si krahut tjetër, ne komunikojmë çdo minutë me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhje. Të gjithë kandidatët e primareve, që ne besojmë që janë fitues, të bëhemi bashkë dhe t’i mbështesim. Ka edhe kandidat nga krahu tjetër që janë fitues, t’i mbështesë edhe z.Berisha. Çalimi në gjykimin tonë si deputet, me sa kemi informacion, se nuk është Alibeaj që merr vendimet, është një grup parlamentar që merr vendimet. Ne kemi mandatuar z.Bardhi dje dhe dy deputetë të tjerë për të negociuar. Propozimi ynë është i sinqertë, kandidatët e primareve të regjistrohen me siglën e PD dhe të jemi në mbështetje te tyre. Ngërçi nuk është te ne. Këtë propozim s’e kemi bërë sot, por edhe para 3 muajsh. Këto propozime i kanë shkuar Rithemelimit tash e tre muaj”.
Likaj tha se Malësia e Madhe do të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet e 14 majit. Ai u shpreh se PD zyrtare nuk e njeh Bashën si kryetar të selisë blu.
Ne nuk e kemi njohur dhe nuk e njohim Bashën si kryetar. Në situatën ku ndodhet PD, jemi të detyruar të regjistrohet PD në zgjedhje. Nuk mund t’i themi vetes që s’do marrim pjesë se kjo është vetëvrasje politike. Ka disa kandidatë që edhe të krahut të siglës janë pretendues fitues. Prandaj të diskutohet. Malësia e Madhe s’ka zhvilluar primare. Unë jam i prirur që të dalim me një kandidat të përbashkët. Bashkia e Shkodrës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës, fitohen me një kandidat. Unë kam thënë për hir të bashkimit të PD jam i gatshëm që në çdo moment të dorëzoj mandatin dhe të rikthehem te elektorati për të marrë bashkinë e Malësisë së Madhe. Ia kam bërë z.Berisha dhe z.Alibeaj. Po luftoj që edhe në mos qoftë z.Likaj do jetë një kandidat konsensual nga të dy palët. Unë do jem njeriu kryesor që do marrë fushatën në dorë në Malësinë e Madhe”.