Ish kreu i PD-së në Rukaj, Shpëtim Lika ka rënë në prangat e policisë si i dënuar me 8 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike. Në vitin 2016, 51-vjeçari u zbulua si autori i mbjelljes së mbi 4020 rrënjëve kanabis dhe i 3 tonëve të tjera të cilat ishin në proces tharjeje.
Sasia rekord e drogës, u gjet në shtator të vitit 2016 ku Shqiptarja.com botoi edhe fotot nga 4 parcelat e mbushura me drogë në afërsi të banesës së 51-vjeçarit.
Pranë përroit në atë zonë u konstatua nga policia një hangar i ndërtuar me shtylla druri brenda të cilit ishin gati për t’u tharë sasia e kanabisit.
Njoftimi i Policisë:
Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim, i dënuar me 8 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Në vitin 2016, në fshatin Rremull, u gjetën 4020 bimë kanabisi të kultivuara nga ky shtetas dhe 3 tonë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat ndaluan shtetasin Shpëtim Lika, 51 vjeç, banues në Rukaj, Mat.
EMRI/ Kapet “baroni” i drogës në Mat, ish kreu i
Ky shtetas është shpallur në kërkim në shtator të vitit 2016, në kuadër të një operacioni policor të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë operacionit, në fshatin Rremull, njësia administrative Rukaj, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në katër parcela, 4020 bimë cannabis sativa, ndërsa në afërsi të banesës së shtetasit Shpëtim Lika, në një përrua, u konstatua një hangar i ndërtuar me shtylla druri brenda të cilit kishte të varura, për t’u tharë, një sasi degësh të bimës cannabis sativa.
Gjithashtu, 100 metra më lart, tek një banesë e pabanuar që administrohej nga shtetasi Shpëtim Lika u gjet një sasi tjetër degësh të bimës narkotike kanabis që ishin vendosur për t’u tharë, me peshë totale 3052 kg.