Berisha provoi se nuk e do PD në pushtet por në opozitë

Nga Av. Besart Logu

Nga data 3 mars, kur Gjykata e Apelit u shpreh me vendim në lidhje me legjitimitetin e organeve drejtuese të PD, e deri më sot, kam mbajtur një qëndrim neutral në lidhje me zhvillimet në PD dhe kjo për disa arsye:

▪︎ Nga një vendim gjykate palët ndahen në gjyqhumbëse dhe gjyqfituese. E si të tilla, emocionet janë skajshmërisht të kundërta sa mund të të çojnë në përplasje, gjë të cilën as nuk e mendoj e jo më ta kërkoj. Jam munduar mos të ngacmoj plagë por ti zbus ato. Unë e di se si është ndjerë pala tjetër pasi me 25 mars të vitit që shkoi isha vetë në atë pozitë kur Agron Zhukri njohu si legjitim kuvendin e 11 dhjetorit.

▪︎ Në respekt të demokratëve pjesë të strukturave drejtuese të Rithemelimit. Ngaqë Berisha njoftoi se në ditët në vijim do të mblidhej Kryesia me Këshillin Kombëtar (të Rithemelimit), mendova se në cilësinë e organeve të larta drejtuese do të prodhonin vendimmarrje të rëndësishme për situatën që po kalojmë. Edhe pse i vetëdijshëm se vullneti i Berishës është i padiskutueshëm, prita të ketë reflektim, debat, mendim ndryshe nga kryetari dhe propozime se si mund të shkojmë drejt bashkimit. Fatkeqësisht asnjëra prej tyre nuk ndodhi!

▪︎ Për të kontribuar në ndërprerjen e retorikës që thellon ndarjen mes dy grupimeve. Mendova, dhe akoma mendoj, se vendimi i gjykatës mund të përbëjë shkak për të rishikuar pozicionin e gjithësecilit. Në funksion të bashkimit dhe për një rezultat sa më pozitiv në 14 maj, në PD nuk duhet të flitet më për palë fituese e humbëse, për shumicë e pakicë, për pengje e për persona të lirë dhe çdo retorikë tjetër që prodhon dy palë, “ne dhe ata”.

Por, rezultati i ditës djeshme ishte tragjik! Përfundimisht Berisha provoi se nuk e do PD e bashkuar. Ai e di se karriera politike e tij është mbyllur dhe rruga që ka hyrë është pa kthim deri në asgjesimin e kësaj force politike të cilën e rriti për 32 vite. Berisha provoi se nuk e do PD në pushtet por në opozitë. Sepse në një sistem demokratik, pretendimi “po goditet opozita dhe fjala e lirë” është mburoja politike më efektive. Mundësi e artë për të mbivendososur hallet personale mbi atyre partiake. Për ironi, në një reagim të medias Al Jazeera në lidhje me pasojat e luftës në Siri, titulli “it’s me or chaos” (pas meje u bëftë qameti) portretizohej presidenti i Sirisë Bashar al-Assad si një diktator që nuk e mendon tërheqjen edhe pse vendi i tij ka për 11 vite në luftë civile duke shënuar rreth gjysëm milioni të vrarë dhe mbi 12 milion emigrantë lufte. Video e zgjedhur shfaqte në plan të parë preaidentin e Sirisë dhe në sfond Sali Berisha. Pa asnjë ndryshim me të, nuk e mendon tërheqjen nga drejtimi i PD edhe pse dukshëm po venitet shpresa e shqiptarëve ku me një qeveri me skandale të njëpasnjëshme opozita nuk ofertohet si një alternativë qeverisëse por si një alternativë që mbjell vetëm konflikt dhe që nuk arrin të reformohet.

Nga ana ime nuk do të lexoni e dëgjoni kurrë shkrime e qëndrime të tipit “lutje demokratëve”. Nuk mund ti them dot askujt ktheu në shtëpinë tënde për sa kohë zgjedhja për të ikur ka qenë e lirë e pa shkak, për më tepër, kur dera e PD është e hapur për cilindo që nis të rishikojë qëndrimin absurd kundër partisë tij. E kam thënë që me 9 shtator të vitit 2021 se PD nuk është një emër (qoftë ky Basha apo Berisha) por bashkim vullnetar dhe kontribut në gjak e djersë i mijëra personave të lirë që u përballën fillimisht me sistemin hoxhist e më pas me çdo reprezajle të qeverive majtiste të këtyre 32 viteve tranzicion të rrëmujshëm e konfliktual.

Partia Demokratike është në ditët më kritike të saj dhe ajo që më ngroh është se më keq se kaq nuk ka ku të shkojë. Mbase e paska patur të nevojshme kapjen e pikës zero. Ringritja e saj po kthehet në domosdoshmëri dhe kjo rrit përgjegjësinë e gjithësecilit për të qenë më vigjilent dhe i kujdesshëm për të mos rënë në gabimet e të shkuarës.

Latest articles

Related articles