NGA POLI HOXHA
Ditën e diel, (26 shkurt 2022), gjatë një takimi me strukturat e PD-së së Rithemelimit në kryeqytet, Sali Berisha, duke folur për aferën e Inceneratorëve i bëri thirrje drejtësisë që të ndjekë paratë.
Kjo po që ja vlen që të duartrokitet. Ky është thelbi i asaj që po presin shqiptarët dhe që duhet të bëjë SPAK dhe drejtësia; të ndjek paratë e gjithë klasës politike shqiptare që ka qenë dhe është në pushtet.
Nëse e sheh nga brenda skenën politike shqiptare, të duket sikur dy palë po luftojnë egër kundër njëra- tjetrës. Rilindja e Edi Ramës dhe Revolucioni i Berishës, të ngjajnë si kundërshtarë deri në vdekje. Por a janë në të vërtetë të tillë, nëse ndjek paratë e tyre?
Për ti dhënë përgjigje sa më të ftohtë kësaj, duhet që të ngrihemi lart, mbi të gjitha palët.
Ajo që shohim është kjo panoramë: Aktualisht në qeli gjendet ish-ministri i Rilindjes Saimir Tahiri, ish ministri tjetër i Rilindjes plus LSI, Lefter Koka, ish-deputeti i PS-së i katapultuar nga rrethi i ngushtë i Ilir Metajt, Alqi Bllako. Në morsën e hetimeve të SPAK kemi aktualisht edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, për aferën e koncesionit të Sterilizimit.
Pastaj vjen mega-afera e Inceneratorëve me Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Erion Veliajn, Engjëll Agaçin e shumë të tjerë. Në majë qëndron vetë Edi Rama me dhjetëra firmat e hedhura “fap e fap”, për këtë skemë e cila po rezulton më shumë se sa mafioze, makute dhe e trashë. Janë edhe disa koncesione të tjera, por “puna ka radhë”. Gjithashtu nuk po përmendim këtu “peshqit e vegjël” të shumtë të Rilindjes, që po përpëliten në rrjetë.
Duke vazhduar që ta shohim situatën nga lartë, nuk ka si të na shpëtojë, se në SPAK kemi në trajtim e sipër edhe aferën e biznesit të “Gërdecit”. Ish ministri i Mbrojtjes në kohën e qeverisjes Berisha, Fatmir Mediu, tashmë është çuar në Gjykatën e Posaçme, por nuk mbaron këtu.
Djali i kreut të revolucionit anti-Ramë, Shkëlzen Berisha është thirrur në SPAK, ndërkohë që nga SHBA kanë mbërritur disa letër-porosi të rënda. Gjithashtu drejt mbylljes është edhe hetimi i çështjes “Klubi Partizani”, ku po hetohen po familjarë të Berishës.
Zhvillime të vrullshme kanë pasur, edhe hetimet për dosjet CEZ dhe CEZ-DIA. Vetëm pak ditë më parë prokurorët e posaçëm pyetën për mbi 3 orë, bashkë-kryerevolucionarin Ilir Metaj. Vetë ky tha se ishte aty për CEZ-DIA, kurse për privatizimin e CEZ dhe lojërat korruptive që u bënë në vazhdim, la për të kuptuar se duhet pyetur Berisha sepse ai nuk ishte në pushte në atë kohë.
Por përveç këtyre dy çështjeve, ka edhe një “CEZ” të tretë. Është ajo ku del direkt Edi Rama me lojën që u bë në Arbitrazhin ndërkombëtarë, duke e mbyllur gjyqin nëpërmjet një marrëveshje që i kushtoi shqiptarëve plot 95 milion euro.
Gjithashtu Metaj po hetohet për “pastrim parash” në shuma të mëdha me lobime dhe kompani guaska në Qipro. Kryemadhi nuk mungon për “operacionet plastike”, ndërkohë që Gjykata e Posaçme ka urdhëruar verifikimin e pasurive të Metajt dhe Berishës për çështjen e “zhdukjes” së floririt, në kohën kur i pari ka qenë president dhe i dyti kryeministër.
Të mos e zgjasim me “McGonigal” sepse pa mbaruar hetimi dhe gjyqi në SHBA, ende nuk e dimë saktë se ku nis Rama dhe ku përfundon Berisha-Metaj.
Pra mjafton vetëm pak distancim dhe kthjelltësi, që të konstatosh se përball SPAK, revolucioni Berisha-Metaj dhe “shënjestra” e tij Rilindja e Edi Ramës, në rastin më të mirë janë njësoj, kurse në rastin më “të keq” janë bashkë kokë e këmbë.
Duke vazhduar ta shohim nga lartë dhe ftohtë këtë farsë që po luhet në skenën politike aktuale, nuk mund të mos vëmë re edhe një kontrast të fortë:
Askund, as me indicie dhe as me thashetheme, eksponentët e opozitës të cilët janë shpallur nga SHBA dhe Perëndimi si aleatë në Shqipëri, nuk dalin gjëkund në fokusin e hetimit që po i bëhet korrupsionit të Tranzicionit.
Që të jemi të drejtë deri në fund, për hir të së vërtetës dalin, edhe “alibashët”. Por vetëm si shënjestra për tu shkatërruar nga skema “McGonigal” dhe veçanërisht si objektiv për tu eliminuar me gjithë proamerikanizmin e tyre, te lëvizja revolucionare Berisha-Metaj, e cila pritet të arrijë kulmin në datën 3 mars.
Tani jemi në këtë situate e cila duket si e ngatërruar, pasi Revolucioni me Rilidjen po përleshen egër dhe për jetë a vdekje, duke akuzuar njëri tjetrin për miliarda të vjedhura gjatë këtyre 32 viteve.
Për ta zgjidhur përfundimisht këtë gurgule për ata që qëndrojnë mes tyre, duhet që të përkrahim të gjithë pa përjashtim thirrjen e fundit të Berishës: Ndiq paranë!
Të bëhemi miliona shqiptarë dhe ti bëjmë presion SPAK dhe BKH që të ndjekë paranë dhe pronat që kanë prodhuar koncesionet dhe Inceneratorët e Ramës, biznesi i “Gërdecit”, “Klubi Partizani”, CEZ, CEZ-DIA dhe të tjera afera pa fund që janë konsumuar gjatë këtyre 32 viteve.
Por të mos e lëmë me kaq dhe ta përkrahim nismën e Berishës deri në fund: Pasi ti gjejë drejtësia paratë e vjedhura dhe ato të tjetërsuara në prona dhe “biznese’, Gjykata e Posaçme ti sekuestrojë, ti kthejë për shqiptarët dhe natyrisht edhe të ndëshkojë përgjegjësit e kësaj grabitje miliardëshe të organizuar.