Dyfishimi i çmimit të patentës ka bërë që qytetarët në Elbasan të dynden pranë qendrave shëndetësore për të marrë dokumentet përkatëse që bëjnë të mundur nisjen e procedurave për pajisjen me lejen e drejtimit.
Pamjet e filmuara që në orët e para të mëngjesit tregojnë radhë qytetarësh që i drejtohen mjekëve specialistë për të marrë vërtetimet përkatëse për plotësimin e formularit.
Lejet e drejtimit që deri më tani kushtonin rreth 450 mijë lekë të vjetra do të dyfishohen javët e ardhshme. Drejtoria e përgjithshme e Transportit Rrugor ka firmosur marrëveshje me grupet e interesit që përfshin rreth 300 autoshkolla në të gjithë vendin.
Me çmimin e ri që shkon në 850 mijë lekë të vjetra, autoritetet thonë se do të ulë abuzimin. Vendimi i ri rrit edhe orët e teorisë që shkojnë në 36 seanca, të cilat do të bëhen për 15 ditë. Ndërkohë, seancat praktike që do të zgjasin 40 minuta secila, do të jenë 34 nga 25 që ishin deri më tani.