Kosova është nëna e Shqipërisë – MORDECAI

Mordecai

Zemra e Kosovës është më e mençur se koka e Shqipërisë. Këtë e dinë fare mirë ata që pranojnë me kënaqësi të takohen dhe të bisedojnë më lirisht me një komandant të luftës çlirimtare se sa me një ish të burgosur politik të Serbisë. E vërteta është se Kosova luftoi fort dhe e bëri Shqipërinë, duke e sakrifikuar plotësisht veten e saj, me shpresën se do të shpëtoheshin të dyja, kur njëra do ta krijonte shtetin, dhe pa e menduar kurrë se vëllazëria do t’i mohohej nga Tirana e serbizuar dhe se do të tradhtohej për 50 vjet nga shërbëtorët e Beogradit.
Kosova nuk është bija e Shqipërisë dhe, aq më pak, Kosova nuk është djepi i Serbisë. Kosova e bëri Shqipërinë, ndaj Kosova është mëma e Shqipërisë. Kjo është e vërteta e madhe, që dihet nga historianët e vërtetë, dhe nuk është nevoja të renditen emra heronjsh dhe luftërash të përgjakshme, ndonëse sajesat propagandistike të politikës synojë më kot të na bindin se Shqipëria është shteti amë. Këtu duhet të detajoj se me emrin Kosovë në shumicën e rasteve quaj shqiptarët dhe tokat e tyre përreth por jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare.
Shqipëria, si asnjë nënë në botë, e braktisi Kosovën në duart e armikut më të keq, të cilit i shërbeu me përulësi dhe besnikëri. Tirana zyrtare tradhtoi burimin e vet më të mirë, vet rrënjën e vet, duke i rënë mohit lidhjeve të gjakut me të, duke mbyllur rreptësisht kufijtë me të, për të arritur vetizolimin më të përgjakshëm në botë në mes një kombi. “Shteti amë”, si asnjë amë, vrau, burgosi dhe dorëzoi në qelitë serbe gjithë bijtë e shqipes, që arrinin të arratiseshin prej ferrit jugosllav, duke kapërcyer Drinin e lashtë.
Të gjithë qeverisjet e Shqipërisë e kanë të lidhur jetëgjatësinë e tyre në proporcion të drejtë me dhunimin e Kosovës, me mohimin, me poshtërimin dhe paternalizmin fyes e qesharak të saj. Të dërguarit nga Shqipëria, zyrtarë, misionarë dhe postierë privatë, shkojnë më së shumti për të këshilluar Kosovën, para ndonjë pjate me mish, se si ajo duhet të sillet për çështje të ndryshme, athua se ajo nuk i ka të zgjedhurit e vet për të renditur problemet dhe zgjidhjet përkatëse.
Ndërsa nga Kosova, Shqipërisë nuk i erdhi kurrë asnjë e keqe, përkundrazi. Ajo kurrë nuk i kërkoi Shqipërisë një ndjesë për krimet që pësoi prej saj, ashtu si po ia kërkon Serbisë me të drejtën e Zotit. Kosova vetëm e don dhe e mbron Shqipërinë, si një mëmë e mirë, në heshtje, pa mburrje, deri në vetsakrifikime të papërfytyrueshme. Deri edhe me adhurimin e diktatorit shqiptar, që i vrau dhe i ndau, njëlloj e në mos më keq se sa diktatori jugosllav, duke ndjekur ëndrrën marroqe, se ndoshta kur Shqipëria të forcohej, siç mburrej me propagandë, ajo do ta ndihmonte sadopak Kosovën. Por më kot. E verbuar nga dashuria për Shqipërinë, Kosova u mësoi dhjetëra breza fëmijësh dashurinë për shqiptarinë dhe për Shqipërinë, ndërsa këtej kufirit gjakprishurit e njeriut të ri na mësonin se kosovarët janë mashtrues e të pabesë.
Po kësaj pipëze i fryn edhe propaganda serbe se shqiptarët e Shqipërisë janë të mirë, ndërsa ata të Kosovës jo. Në Tiranë dhe në Beograd i bien fyellit në një vrimë se si duhen harruar luftërat dhe krimet e kaluara, dhe se liaçi më i mirë për të nxitur harresën është biznesi. Le të bëjmë biznes dhe t’i harrojmë kujtimet e hidhura(!). Një ftesë për harresë të kujt? Të viktimave të Kosovës. Dhe të tradhtisë shumëdekadëshe, që Shqipëria ia bëri Kosovës. Ndërsa shqiptarët e Kosovës janë të këqinj vetëm pse e duan Shqipërinë dhe kërkojnë reciprocitet me fqinjë kriminalë si Serbia, e cila ende fsheh varre masive me bij shqipesh.
Kosova është mëma e Shqipërisë. Këtë të vërtetë të madhe e dinë shumë mirë edhe qarqet diplomatike evropiane, edhe të gjithë ata të shumtë që financojnë dhe punojnë, që ato rrinë të ndara sa më gjatë. Asnjë pako me vaksina, asnjë dhuratë tjetër kalimtare nuk mund të mbulojë si shosha dritën e bardhë të vërtetave, që vijnë nga Kosova. Ajo pret me padurim shtetërisht nga Shqipëria dashurinë e vërtetë përplotësuese, ashtu siç bënë shqiptarët vet në vitin 1999 gjatë eksodit tre mujor të luftës, si dy pjesët e një zemre dhe të një trupi. Kosova, po ashtu, meriton një ndjesë për braktisjen e përgjakshme, për pabesitë rrënuese, që i erdhën nga Shqipëria gjatë diktaturës e më vonë, si dhe për sjelljet fyese paternaliste e nihiliste, që i vijnë periodikisht gjatë demokracisë nga Tirana zyrtare.
Por ekzistojnë edhe shqiptarë të shquar, që kanë menduar me tru dhe që kanë shkruar me zemër për mbrothësinë e shqiptarisë. Shkrimtari i madh Mitrush Kuteli, autori i “Poemit Kosovar”, pat shkruar me penën po aq të mprehtë të ekonomistit profesionist, një studim, ku thuhet përmbledhtas se Shqipëria dhe Kosova zotërojnë më vete pasuritë munguese të njëra tjetrës, se Zoti dhe Natyra u kanë dhuruar secilës ekonomitë e ndërsjellta për të ndërtuar së bashku mirëqenie dhe begati të përhershme. Ky është një projekt i gatshëm bashkëpunimi, ofruar bujarisht nga Kuteli (ekonomisti Dhimitër Pasko), i cili mjafton të zbatohet, pa qenë nevoja të sajohen nisma iluzive e të pasigurta prej bijve plangprishës, dhe që askush në dy anët e Drinit të mos mbetet peng i tekave egocentrike të liliputëve qeveritarë të radhës, apo viktimë e tezave serbomadhe në rajon.

Latest articles

Related articles