Tentoi të kalonte me pasaportë false, arrestohet 24 vjeçari turk

Një 24 vjeçar turk është arrestuar në Rinas pasi tentoi të kalonte me pasaportë false. Në kërkim është shpallur një tjetër shtetas 27 vjeçar pasi tentoi që të ndimonte turkun duke e pajisur me dokumente false dhe me biletë udhëtimi.

Njoftimi i policisë:

Rinas/Kontrolle të detajuara nga Policia Kufitare, për parandalimin e kalimit të kufirit, me dokumente false.

Tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë të falsifikuar, kapet në flagrancë nga Policia Kufitare dhe vihet në pranga 24-vjeçari (shtetas turk).

Shpallet në kërkim një shtetas tjetër që tentoi të ndihmonte 24-vjeçarin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, duke e pajisur atë me pasaportë false dhe biletë udhëtimi.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, bazuar në dyshime të arsyeshme dhe në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, shtetasin turk U. Y.

Nga kontrolli i detajuar në vijën e dytë, këtij shtetasi i është gjetur një pasaportë sllovake e dyshuar e falsifikuar, me foton e tij dhe me gjeneralitetet A. L., si dhe një biletë udhëtimi me të dhënat e shtetasit A. L.

Nga veprimet hetimore dyshohet se biletën që iu gjet shtetasit U. Y., e kishte marrë te njësia e check-in-it, shtetasi A. L., me qëllim për ta ndihmuar shtetasin U. Y., që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit U. Y., 24 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi A. L., 27 vjeç.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. L. dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Latest articles

Related articles