Bruce Willis diagnostikohet me demencë frontotemporale

Bruce Willis është diagnostikuar me demencë frontotemporale (FTD), njoftoi familja e tij.

Aktori 67-vjeçar u diagnostikua në mars të vitit 2022 me afazi, një gjendje që prek trurin e cila shkakton vështirësi në gjuhën dhe të folurit, duke e bërë atë të tërhiqet nga aktrimi, raporton CNN.

Deklarata për avancimin e gjendjes së tij u nënshkrua nga gruaja e tij aktuale, Emma Heming Willis dhe ish-gruaja e tij Demi Moore, si dhe fëmijët e tij Rumer, Scout, Tallulah, Mabel dhe Evelyn.

“Që kur e shpallëm diagnozën e afazisë së Bruce në pranverën e vitit 2022, gjendja e tij ka avancuar dhe tani kemi një diagnozë më specifike: demencë frontotemporale (e njohur si FTD). Fatkeqësisht, sfidat me komunikimin janë vetëm një simptomë e sëmundjes me të cilën përballet Bruce. Edhe pse kjo është e dhimbshme, është një lehtësim që më në fund të kemi një diagnozë të qartë”, thuhet në deklaratën e familjes.

NHS tha se FTD shkaktojnë probleme me sjelljen dhe gjuhën dhe ndikojnë në pjesën e përparme dhe pjesët anësore të trurit.

Latest articles

Related articles