Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s u takuan në ditën e dytë të takimeve të tyre në Bruksel për të diskutuar çështje të tilla si rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe zhvillimi i kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes, si dhe mbështetja për Ukrainën.
Sesioni i ditës së dytë të Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s filloi me fjalimin e hapjes nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Stoltenberg tha se NATO teksa vazhdon mbështetjen e saj për Ukrainën që lufton kundër Rusisë, në anën tjetër ajo ka forcuar parandalimin dhe mbrojtjen e saj.
“Ministrat sot do të miratojnë kuadrin politik rreth planifikimit të mbrojtjes”, tha Stoltenberg, duke renditur edhe temat e tjera që të diskutohen në takimin e sotëm.
Stoltenberg theksoi se këto tema janë zhvillimi i kapacitetit të industrisë së mbrojtjes për rritjen e prodhimit të armëve dhe municioneve, forcimin e mbrojtjes për infrastrukturat kritike përfshirë tubacionet dhe linjat e kabllove nën det si dhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nga aleatët.
Në takim Türkiye përfaqësohet nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Türkiye-s në NATO, ambasadori Levent Gümrükçü, pasi ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, nuk merr pjesë për shkak të punimeve që zhvillon pas tërmeteve në Türkiye.
Po ashtu në takim marrin pjesë edhe ministrat e mbrojtjes të Suedisë dhe Finlandës të cilët janë ftuar për anëtarësim në NATO.