Zgjedhjet e 14 Majit, Bardhi: Çështja është e zgjidhur, në KQZ regjistrohet ai që lejon ligji

Deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi ka folur në emisionin “Opinion” lidhur me situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike dhe ngërçin për regjistrimin e anëtarëve të KZAZ-ëve në KQZ.

Bardhi tha se nuk e ka kuptuar qëndrimin e komisionarit Celibashi, pasi sipas tij çështja është e zgjidhur dhe KQZ duhet të regjistrojë atë pjesë të partisë që e lejon ligji.

Ai tha gjithashtu se kishte hedhur idenë e bashkimit që të dy grupet të dalin me një logo, por nuk është arritur diçka e tillë deri më tani.

Pjesë nga intervista

Bardhi: Nuk bëhet fjalë për inatin as të 25 apo 30 vetave bëhet fjalë për çështje parimore që na kanë ndarë apo që kemi mendime të ndryshme. Ka patur disa hapa që synojnë zgjidhjen e konfliktit duke nisur me dorëheqjen e zotit Basha, duke nisur me një platformë se si duhej të bëhej ristrukturimi i partisë, por që ky unifikim kërkon vullnet të të gjithë palëve që secili të kapërcejë veten.

Fevziu: Jeni të gatshëm të dilni me një logo?

Bardhi: Unë kam bërë një propozim që nuk u pranua. Ka patur përpjekje gjatë kësaj kohe për të arritur unifikimin e opozitës në zgjedhje.

Fevziu: Si do të ndodhë në zgjedhje? Ju e dini ç’do të thotë kjo situatë. Gjykata mund të mos marr asnjë vendim.

Bardhi: Me shumë gjasa po, gjykata po e zvarrit. Ligjërisht çështja është e zgjidhur. Edhe qëndrimin e komisionerit nuk e kuptova përse e ka shtyrë regjistrimin e anëtarëve të KZAZ-ëve.

Fevziu: Kë duhet të regjistrojë?

Bardhi: Atë që e detyron ligji. Edhe ju vetë e dini, nuk ka nevojë për njohuri të thelluara.

Fevziu: Si mund të regjistrojë KQZ nëse privon një palë që ka një numër të madh zgjedhësish…

Bardhi: Nuk kanë rëndësi teknikalitetet. Qëndrimi im ka qenë, që duhet të jemi me një listë dhe të unifikuar sepse mungesa e alternativës së unifikuar e dobëson opozitën.

Fevziu: Çfarë e ka penguar?

Nuk ka patur asnjë vullnet nga pala tjetër për një qëndrim të unifikuar.

Fevziu: Është çështje parimesh?

Bardhi: Unë kam shtruar një zgjidhje e kam bazuar gjithmonë në parime dhe jo në bindje personale. Unë nuk hyj në asnjë proces bisedimesh ku them, për shembull ti merr Tiranën, se unë do marr për shembull Durrësin.

Latest articles

Related articles