Komisioni Evropian ka njoftuar se me kërkesë të Turqisë, pas tërmetit të rëndë që ka goditur vendin, ka aktivizuar mekanizmat emergjentë të unionit për mbrojtje civile.
Një tërmet prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë. Nga tërmetet e fuqishme në Turqi janë vrarë mbi 900 persona, ndërsa në Siri rreth 800.
Komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenareçiç, tha përmes një deklarate se Bashkimi Evropian ka angazhuar menjëherë ekipet për kërkim dhe gjetjen e personave që mund të jenë nën gërmadhat e ndërtesave të rrënuara.
Sipas njoftimit, dhjetë ekipe për “kërkim urban” janë mobilizuar menjëherë në Bullgari, Kroaci, Çeki, Francë, Greqi, Hungari, Maltë, Honaldë, Poloni dhe Rumani për t’u dalë në ndihmë shërbimeve Turke në kërkim të personave që kanë pësuar nga tërmeti. Ndërsa Italia, Spanja dhe Sllovakia i kanë vënë në dispozicion ekipet e tyre për Turqinë.
Qendra koordinuese e BE-së për reagime emergjente ka vendosur kontakte me autoritetet e Turqisë, dhe thuhet se sipas nevojës do t’i koordinojnë veprimet.
Edhe sistemi satelitor i BE-së, Copernicus, është aktivizuar dhe po ndihmon në identifikimin e pozicioneve të goditura.
Në komunikatën e BE-së thuhet se unioni shpreh gatishmërinë që t’i ofrojë ndihmë edhe pjesëve të Sirisë të cilat janë goditur këtij tërmeti.
“Ndajmë dhimbjen e thellë me të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe solidarizohemi me pjesëtarët e shërbimeve të emergjencës që janë angazhuar për të shpëtuar jetët e njerëzve, thuhet në komunikatën e BE-së.
Turqia tha se afër 9.000 persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.
Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.
Nërsa në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.
Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet