Do jenë 13 Gjykata të Shkallës së Parë, dy Gjykata Administrative dhe një Apeli
Më 1 Shkurt sistemi gjyqësor do të jetë i përgjysmuar, për shkak se nis zbatimi i hartës së re gjyqësore të miratuar disa muaj më parë nga KLGJ dhe Këshilli i Ministrave.
Tashmë vendi ynë do të ketë 13 Gjykata të Shkallës së Parë me juridiksion të përgjithshëm, 2 Gjykata Administrative të shkallës së parë dhe 1 Gjykatë Apeli, me juridiksion të përgjthshëm dhe 1 Apel Administrativ.
Me ndryshimet e reja, janë riorganizuar gjykatat e shkallës së parë nga 22 që ishin, bëhen 13, një gjykatë për çdo qark, me përjashtim të qarkut të Vlorës që do të ketë gjykatë edhe në Sarandë.
Problematika për avokatët dhe qytetarët janë bërë shkrirja e gjykatave të Apelit me juridiksion të përgjithshëm, që do të jetë vetëm 1 gjykatë në Tiranë. Përveç dosjeve që kanë qënë stok, tek shkalla e dytë e gjyqësorit, do të vijnë edhe dosjet e rretheve, së bashku me gjyqtarët dhe mund të vënë në vështirësi punën e gjykatës.
Avokatët gjatë muajve Qershor, Korrik të vitit të kaluar bojkotuan proceset gjyqësore pikërisht se kundërshtonin shkrirjen e gjykatave të Apelit dhe bashkimin në 1 gjykatë të vetmne në Tiranë.
Ata argumentuan se kjo gjë dëmton aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Harta e re gjyqësore po ashtu parashikon që nga 6 gjykatat administrative të shkallës së parë do të mbeten vetëm dy të tilla, në Tiranë dhe në Lushnjë. sipas KLGJ “Harta e Re Gjyqësore” garanton aksesin në drejtësi, uljen e kostove, përdorimin efikas të burimeve publike, përmirësimin e cilësisë dhe performancës së shërbimeve të ofruara, dhe ngarkesën e ekuilibruar të punës mes gjyqtarëve.
13 GJYKATAT E SHKALLËS SË PARË
Gjirokastër – Libohovë, Tepelenë
Memaliaj, Përmet, Këlcyrë e Dropull
Elbasan – Cërrik, Belsh, Peqin, Gramsh
Librazhd dhe Përrenjas
Shkodër – Malësi e Madhe, Vau i Dejës
Pukë dhe Fushë Arrëz
Fier – Patos, Roskovec, Lushnjë
Divjakë dhe Mallakastër
Korçë – Maliq, Pustec, Kolonjë
Devoll dhe Pogradec
Berat – Dimal, Kuçovë,
Skrapar dhe Poliçan
Durrës – Shijak, Kavajë dhe Rrogozhinë
Sarandë – Konispol, Finiq dhe Delvinë
Tiranë – Kamëz, Vorë dhe Krujë
Dibër – Bulqizë, Mat dhe Klos
Lezhë – Mirditë dhe Kurbin
Kukës – Has dhe Tropojë
Vlorë – Selenicë dhe Himarë