Zgjedhjet e 14 majit | Qeveria fond shtesë për KQZ

Qeveria vendos fond shtesë për KQZ. Fondi shtesë do të shkojë për zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Përveç Vorës për të cilën janë fondet në buxhet, qeveria ka dhënë fonde të tjera për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik edhe në dy bashki të tjera, për të cilat vendimmarrja i takon KQZ. Dy bashkitë e tjera pritet të jenë Kamza dhe Elbasani.

VENDIMI
PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023,MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË DATËS 14 MAJ 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i MinistraveVENDOSI:
1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, i shtohet fondi prej:
a) 1 993 610 933 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tre) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;
b) 606 389 067 (gjashtëqind e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.
2. Efekti financiar, i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet:
a) 1 800 000 000 (një miliard e tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve, miratuar për vitin 2023;
b) 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2023.

Latest articles

Related articles