Policia e Shtetit ka gati planin për shtrirjen më të gjerë të njësisë kundër krimeve kompjuterike në të gjitha drejtoritë e policive.
Aktualisht krimi kompjuterik operon vetëm në kryeqytet ku të gjithë ata që donin të kryenin denoncime për hyrje të paligjshme në rrjete sociale duheshin t’i drejtoheshin Drejtorisë së Përgjithshme me kallëzim pasi kjo nuk ishte funksionale në rrethe.
Ky plan, i cili do të vendoset në zbatim duke filluar nga fundi i këtij muaji ka si qëllim ndalimin e çdo sulmi kibernetik.
Aktualisht burimet bëjnë me dije se “Njësia C” do të emërohet drejtori në vete ku do të ketë edhe një buxhet të përcaktuar për të pasur funksionalitet të plotë.
Por pavarësisht thirrjeve për t’iu bashkuar “Njësisë C”, kërkesat kanë qenë të pakta.
Sipas të dhënave, “Njësia C” në rrethe do të merret me kallëzime që nuk duan shumë kapacitete hetimore, e ndërsa për kallëzime të institucioneve të rëndësive të veçanta do t’i kalojnë Drejtorisë së Përgjithshme.
Përveç denoncimeve që vijnë nga qytetarët, ku kryesojnë ata të shantazheve në rrjet apo hyrjeve të paligjshme, krimi kompjuterik është përballur edhe me denoncimet që vinin nga shtetet si Italia apo Gjermania, në lidhje me mashtrimet me Call Centera.
Por pavarësisht kësaj, edhe grupi “HomeLand Justice”, i cili është financuar nga Irani arriti të depërtojë në databazën e Policisë së Shtetit, duke marrë të dhëna sensitive.
Pas sulmit ministria zhvilloi një tender më qëllim rritjen e sigurisë në serverat qendrorë të Policisë së Shtetit .