Kreu i KMSH-së uron shqiptarët: Dashuria për atdheun është ndjenjë e thellë njerëzore

spot_img
Advertisements

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka ndarë një mesazh urimi për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit.

Spahiu shprehet se në këto ditë nëntori, zemrat e shqiptarëve mbushen me krenari për historinë dhe flamurin kombëtar.

Ai thekson se 28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar, por kujtesë e një sakrifice të madhe dhe ëndrre të shumë brezave.

Kreu i KMSH-së shton se dashuria për atdheun është një ndjenjë e thellë njerëzore, që gjen vend edhe në traditën islame. Spahiu thotë se flamuri kuqezi është dëshmia më e bukur e këtij bashkëpunimi.

Ai thekson se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të japë kontributin e tij për paqen, harmoninë ndërfetare, edukimin, solidaritetin dhe zhvillimin e vendit tonë.

Mesazhi i plotë:

Atdheu, amanet i përbashkët

Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë,
Të nderuar bashkëqytetarë,

Në këto ditë të shënuara të nëntorit, kur zemrat tona mbushen me krenari për historinë dhe flamurin kombëtar, dëshiroj t’ju përcjell urimet më të përzemërta për Festën e Pavarësisë së Shqipërisë.

28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar për shqiptarët kudo ku ndodhen. Por është kujtesë e një sakrifice të madhe, e një ëndrre të shumë brezave dhe e një amaneti që na është lënë: ta duam, ta ruajmë dhe ta ndërtojmë Shqipërinë.

Dashuria për atdheun është një ndjenjë e thellë njerëzore, që gjen vend edhe në traditën tonë islame.

Vetë Profeti Muhamed, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, kur u detyrua të largohej nga Meka, vendlindja e tij, u shpreh me fjalë që dëshmojnë dashurinë e madhe për vendin ku kishte lindur e jetuar: “Për Zotin, ti je vendi më i mirë i Allahut dhe më i dashuri për mua. Sikur të mos më kishin dëbuar prej teje, nuk do të isha larguar.”

Ky shembull na mëson se besimi nuk e zbeh dashurinë për atdheun.

Përkundrazi, na mëson ta shohim atë si një përgjegjësi, si një amanet që kërkon përkushtim, drejtësi, punë dhe sakrificë.

Historia jonë kombëtare është dëshmia më e bukur e këtij bashkëpunimi. Në rrugëtimin drejt Pavarësisë, krahas Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Dom Nikollë Kaçorrit e shumë patriotëve të tjerë, një kontribut të çmuar dhanë edhe dijetarët dhe klerikët myslimanë.

Mjafton të kujtojmë Vehbi Dibrën, Hafiz Sherif Lëngun dhe figura të tjera të dijes e të besimit, të cilët u angazhuan për çështjen kombëtare.

Vehbi Dibra ishte ndër firmëtarët e Aktit të Pavarësisë dhe ndër ata që kontribuuan në ngritjen e flamurit kombëtar. Ata na lanë një mesazh të qartë: kur bëhet fjalë për Shqipërinë, dallimet fetare nuk na ndajnë, por pasuria e përbashkët na bashkon.

Sot, më shumë se kurrë, duhet ta kuptojmë se të jesh atdhetar nuk do të thotë vetëm të nderosh flamurin në festa.

Do të thotë të punosh me ndershmëri, të edukosh brezat me dashurinë për vendin, të respektosh njëri-tjetrin, të kujdesesh për më të dobëtit dhe të mos e humbasësh shpresën për një Shqipëri më të mirë.

Flamuri ynë është simboli i një historie të përbashkët. Nën të kemi qëndruar së bashku në ditët më të vështira dhe nën të duhet të ndërtojmë edhe të ardhmen tonë.

Si Komunitet Mysliman i Shqipërisë, do të vazhdojmë të japim kontributin tonë për paqen, harmoninë ndërfetare, edukimin, solidaritetin dhe zhvillimin e vendit tonë.

Le të lutemi që Zoti ta bekojë Shqipërinë, ta ruajë popullin tonë kudo që ndodhet dhe t’u japë brezave të rinj urtësinë, dijen dhe vullnetin për ta çuar vendin përpara.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Gëzuar Festën e Pavarësisë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen!

spot_img

Latest articles

Related articles