Edi Rama ka falenderuar hapur në mes të Asamblesë ish-ministren e Drejtësisë, socialisten Etilda Gjonaj. Sipas tij, ajo nuk mori dot votat për mandatin e deputetes, por nuk i ktheu shpinën partisë dhe tani punon me të në kryeministri pa orar.
Dhe teksa “ngrinte në qiell” Etilda Gjonaj, kryeministri thumboi fort Erion Braçen, i cili ka bërë disa tentativa të dështuara për t’i dalë përballë kryetarit Edi Rama, por në fund ka qëndruar sërish brenda rreshtit.
“Dua të bëj një falenderim shumë të veçantë, aspak formal për Etildën, e cila është e kundërta e modelit për të cilin folëm në pjesën e parë. Ka qenë ministre e Drejtësisë. Ka qenë deputete. Nuk mori dot mandatin dhe punon me mua si këshilltare ligjore dhe është si të kesh një komision ligjesh në godinën e qeverisë. Pa orar.
Koordinon projekte si ky projekt për paraburgimin dhe të tjerë dhe nuk ngurron asnjëherë për t’i kthyer kësaj familje politike, sa më shumë nga ai besim dhe ajo mbështetje që kjo familje i ka dhënë dhe kur ishte e re.
Se të gjithë ata që sot thonë, “Po nga vijnë këta?”, këta janë fiks ata për të cilët është thënë “nga vijnë?”. Nuk çohet as ai shoku im atje, as ai shoku tjetër të thonë “nga vijnë këta?”. Jo mo, këta që kanë ardhur pikërisht nga e njëjta rrugë, këta tani thonë, “jemi socialistë, nga vijnë këta të tjerët?”, u shpreh Edi Rama.



