Sali Berisha, ka hedhur poshtë akuzat se djali i tij, Shkëlzen Berisha, është i përfshirë në një projekt ndërtimi kulle në Tiranë, duke i cilësuar ato si shpifje dhe pjesë të një strategjie politike për ta barazuar me Edi Ramën.
Gjatë komunikimit me qytetarët, Berisha ka mohuar çdo lidhje të të birit me biznesmenin e përmendur, ndërsa ka mbrojtur bilancin e qeverisjes së tij në fushën e ndërtimeve, duke akuzuar qeverinë aktuale për lidhje mes kullave dhe parave të krimit.
Pjesë nga intervista:
Alban Tirana: Përshëndetje Doktor. Këto ditë në rrjetet sociale, patronazhistët dhe disa analistë të majtë, në unison po përhapin lajme se djali juaj Shkëlzeni është ortak me biznesmenin, njëfarë Çimi, për të ndërtuar një kullë në mes të Tiranës (Shkëlqim Beshiri). Pra, këto shpifje e duan një përgjigje nga ana juaj për të sqaruar opinionin publik. Faleminderit.
Sali Berisha: Së pari, kjo shpifje është hapur sapo ka dalë Mali i Tiranës (Ilir Shtufi) nga një parti politike dhe një shpifje e ulët, e cila në mënyrë absolute nuk ka as dhe një gjë të vetme, por këto janë të gjitha pjesë e strategjisë së krahasimit të Ramës me Berishën.
Djali im nuk i është drejtuar kurrë, dhe nuk do i drejtohet ndonjëherë, nuk është ortak dhe nuk do jetë ortak ndonjëherë, në asnjë dokument të firmosur nga Edi Rama, në mënyrën më të prerë.



