Një kompani e krijuar në fund të vitit 2023 me 100 lekë kapital, një depozitë me qira nga një kompani shqiptare dhe akuza në Parlament për orientimin e grosistëve të hidrokarbureve drejt Ron Yeffet për Rezervat Kombëtare të Sigurisë së Naftës, një biznes 300 milionë eurosh i hidrokarbureve.
Më 6 dhjetor të vitit 2023, Ron Yeffet dhe shtetasi tjetër izraelit David Chubalashvili, i lindur në Gjeorgji në vitin 1960, me pasaportë shqiptare prej vitit 2024, themelojnë një kompani nafte në Shqipëri. Kompania e quajtur “1820 Black Oil” u regjistrua në QKB më 15 dhjetor të atij viti. Kapitali fillestar ishte 100 lekë. Ron Yeffet zotëronte 60%, ndërsa David Chubalashvili 40%. Në janar 2024, Yeffet mori pjesën e ortakut dhe u bë pronar i vetëm. Një operacion, si shumë të tjera në Shqipërinë e viteve të fundit, ku ortakët ndryshojnë kuotat në mënyrë të pashpjegueshme dhe shpesh pa logjikë ekonomike. Dokumentet regjistrojnë transferimin e kuotave, por nuk shpjegojnë arsyet tregtare të largimit të ortakut.
SHIH: Marrëveshja e kuotave, 16 janar 2024 https://opencorporates.al/documents/dokumenta/1707903772Transferim%20i%20kuotave%20te%20kapitalit.pdf2_14_2024.pdf
Në maj 2024, kompania u shndërrua nga SHPK në SHA dhe kapitali u rrit në 3.5 milionë lekë. Se cilat ishin interesat e saj në këtë fazë, ishte tërësisht e paqartë për publikun, por jo për Ron Yeffet. Amerikano-izraeliti, që në Shqipëri ka firmosur kontratën e majme të armëve me KAYO, nuk rezulton të ketë ndonjë përvojë të dokumentuar në fushën e hidrokarbureve apo energjetikës, ndryshe nga Chubalashvili, i cili ka qenë president i “MDC Energy LTD”.
Më shumë se dy vjet më vonë, ekstrakti i QKB-së i 20 korrikut 2026 e paraqet Yeffet si administrator dhe aksionar të vetëm. Objekti përfshin tregtinë dhe transportin e karburanteve, por edhe konsulencën e negocimin e kontratave.
- Ekstrakti historik, 20 korrik 2026
https://opencorporates.al/documents/dokumenta/1784552468ekstrakt_historik_2026-07-20T12-39-55-202Z.pdf - Ekstrakti historik, shkurt 2024 https://www.opencorporates.al/documents/dokumenta/1707903697EkstraktHistorik-2_14_2024.pdf
- Regjistri i pronarit përfitues https://www.opencorporates.al/documents/dokumenta/1707903724EkstraktHistorik-2_14_2024%281%29.pdf
- Akti i themelimit dhe statuti https://opencorporates.al/documents/dokumenta/1707903714Akti%20i%20themelimit.pdf2_14_2024.pdf
- Statuti i shoqërisë aksionare https://opencorporates.al/documents/dokumenta/1738144779Statuti%20I%20shoq%C3%ABrise.pdf1_29_2025.pdf
Depozita 3,500 m³ me qira në Porto Romano për naftën
Një dokument teknik, i publikuar nga Bashkia Durrës, tregon se kompania e Yeffet, “1820 Black Oil”, mori me qira depozitën LV-1215R198, me kapacitet 3,496.685 m³, në Porto Romano. Kodi përputhet me adresën e aktivitetit në ekstraktin e kompanisë.
Më 28 maj 2024, AKM-ja, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, publikon dokumentacion për shpërndarjen dhe magazinimin e naftës së “1820 Black Oil”. Relacioni dhe formulari identifikojnë aktivitetin për të cilin kërkohet leje, si shpërndarja dhe magazinimi i naftës dhe nënprodukteve të saj në cisterna të palëvizshme, ngarkimi e shkarkimi i naftës dhe nënprodukteve të saj, etj.
Open Corporates Albania raporton për vitin 2025 rreth 28.2 milionë lekë xhiro dhe 8.95 milionë lekë fitim para tatimit për “1820 Black Oil”. Për vitin 2024 raporton humbje rreth 19 milionë lekë. Por nuk është përcaktuar çfarë pjese e xhiros vjen nga karburantet apo konsulenca.
Më 4 qershor 2026, disa media në Shqipëri raportuan se kompania kishte paraqitur një aplikim për administrimin 20-vjeçar të rezervave kombëtare të naftës, që do të siguronin karburante për të plotësuar nevojat e 90 ditëve në kohë krize. Fitimet që do t’i shkojnë “1820 Black Oil” përllogariten të jenë 75 milionë euro.
Më 16 shtator, një draft i miratuar nga qeveria parashikonte një “Autoritet publik” për menaxhimin e rezervave dhe lejonte procedura të veçanta jashtë rregullave të prokurimit publik, me detyrim për transparencë, konkurrencë dhe mosdiskriminim. Drafti parashikon një tarifë mbi hidrokarburet, që përllogaritet të arrijë në 300 milionë euro.
Në pikën 7 të nenit 10 parashikohen procedura të veçanta jashtë rregullave të prokurimit publik, kur justifikohen nga natyra dhe funksioni i rezervës, duke ruajtur transparencën, konkurrencën dhe mosdiskriminimin. Për ekspertët, kjo është një ndër pikat më të dyshimta të këtij drafti, që favorizon në mënyrë të drejtpërdrejtë kompaninë e Yeffet.
Burimi: Projektligji, nenet 8–12
https://www.kryeministria.al/newsroom/projektligje-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-date-16-shtator-2026/
Më 28 tetor, disa media raportuan se aplikimi i kompanisë së Yeffet për licencë tregtimi hidrokarburesh ishte bërë më 26 qershor 2025 dhe se kërkesa i ishte miratuar pa vonesë, vetëm një ditë më pas, më 27 qershor. Shpejtësia e shqyrtimit solli në vëmendjen e opinionit publik miratimin e 17 akteve brenda një dite për inceneratorët.
Të gjitha të dhënat e deritanishme të çojnë në një pikë: gjithçka duket e planifikuar tre vjet më parë që Ron Yeffet të merrte Rezervat e Sigurisë së Naftës/zoom



