Shërbimi sekret kinez i fut në krevat agjenten CEO-s së Nvidia, Jensen Huang

spot_img
Advertisements

Gjiganti i mikroçipave, Nvidia njoftoi të dielën se po nis një hetim të pavarur, pasi një raportim në media pretendoi se drejtori ekzekutiv Jensen Huang kishte një marrëdhënie të ngushtë me një biznesmene kineze, e cila i ka përcjellë informacione Pekinit.

Në një mesazh drejtuar punonjësve të Nvidia-s, Huang pranoi se ka qenë jobesnik ndaj bashkëshortes së tij dhe mori “përgjegjësinë e plotë” për veprimet e tij.

Gazeta “The New York Times” raportoi muajin e kaluar se autoritetet amerikane po hetonin Alice Huang, një ish-drejtuese e kompanisë “Megaspeed” me seli në Singapor, e cila blen çipa të inteligjencës artificiale nga Nvidia. Autoritetet amerikane e kanë vënë nën shqyrtim “Megaspeed”-in për shkak të dyshimeve se ajo e ka ndihmuar Pekinin të sigurojë qasje në çipa të avancuar të AI-së, dërgesat e të cilëve në Kinë janë të ndaluara.

“Bordi i Nvidia-s po nis një hetim të pavarur, në dritën e raportimeve të fundit se themeluesi dhe CEO-ja Jensen Huang ka qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj. Një komitet i përbërë nga anëtarë të pavarur të bordit, i ndihmuar nga këshilltarë të jashtëm të pavarur, do të mbikëqyrë hetimin,” deklaroi Nvidia.

Kompania njoftoi të dielën se, ndonëse bordi nuk ka arsye të besojë se siguria kombëtare e SHBA-së apo sekretet e Nvidia-s janë cenuar, hetimi do të shqyrtojë të gjitha informacionet në dispozicion. Huang e mbështet plotësisht këtë shqyrtim dhe është zotuar të bashkëpunojë, shtoi kompania.

Në një mesazh drejtuar punonjësve, Huang u shpreh: “Kam qenë jobesnik ndaj bashkëshortes sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që kam bërë. Më vjen thellësisht keq.”

Duke iu drejtuar kolegëve, bordit, partnerëve dhe aksionarëve të tij, Huang tha: “Përgjegjësia ime është t’ju shërbej dhe të jem i denjë për besimin tuaj. Nuk kam arritur ta përmbush siç duhet këtë përgjegjësi. Jam plotësisht i përkushtuar ndaj NVIDIA-s dhe do të punoj për të rifituar besimin tuaj.”

Një zëdhënës i NVIDIA-s u shpreh se Huang është “i përkushtuar të vazhdojë të drejtojë NVIDIA-n si CEO, pa ndërprerje.”

spot_img

Latest articles

Related articles