Refleksione mbi veprën “1984”, në skenë në Teatrin Eksperimental / Tendenca shqetësuese për eliminimin e termave “nënë” dhe “baba”

spot_img
Advertisements


Nga Martin Rugova

Një mënyrë tepër efektive për të drejtuar mendimet e njerëzve është kufizimi i fjalëve. Të paktën këtë kuptojmë nga “Newspeak”-u i George Orwell-it te “1984”. Qytetarët e Shiritit të Parë Ajror, pas reformave rrënjësore të gjuhës angleze, nuk do të mund të akuzoheshin më për krime mendimi, thjesht dhe vetëm sepse nuk do t’i gjenin fjalët e duhura për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj regjimit. Me këtë rast, Ministria e së Vërtetës do t’i minimizonte operacionet kundër kriminelëve të mendimit, për arsyen e thjeshtë se të tillë nuk do të kishte më.

Në botën tonë reale është thuajse e pamundur të ndërtosh një regjim absolutist si ai i Orwell-it. Kjo për vetë faktin se teknologjia, globalizmi dhe rrjetet sociale nuk e lejojnë kaq lehtë uniformitetin e mendimit në të gjithë rruzullin tokësor. Mirëpo, dështimi i një skenari orwellian nuk do të thotë se do të dështojnë edhe mjetet dhe strategjitë që Socializmi Anglez përdorte për të mbajtur pushtetin.

Një nga këto mënyra është ndryshimi i gjuhës, me synimin për të transformuar dhe shuar disa koncepte bazë të shoqërisë. Një operacion i tillë vërehet në mënyrën se si disa grupime të caktuara po tentojnë të shformojnë imazhin tradicional të familjes. Ata e kanë kuptuar se një sulm ballor do të haste në reagimin e natyrshëm të asaj pjese të shëndoshë të shoqërisë; andaj, po luftojnë fort për të eliminuar termat “nënë” dhe “baba” nga legjislacioni, me synimin për të lehtësuar ndryshime të mëtejshme ligjore, të cilat do të çojnë në klonimin e familjeve të një lloji tjetër, të ndryshme nga ato që kemi parë deri tani.

Heqja e termave “nënë” dhe “baba” nga Kodi i Familjes do të pasohet nga tretja e ngadaltë e tyre edhe në fjalorin e përditshëm të qytetarëve. Në vitet e para të shkollimit, studentët e drejtësisë mësojnë se ligji përdoret nga autoritetet shtetërore edhe si instrument për të çrrënjosur një mentalitet apo për të plazmuar një tjetër. Forca detyruese e ligjit dhe penalitetet e tij e shkërmoqin gradualisht rezistencën e brezave të parë, të cilët e ruajnë në kujtesë realitetin e para hyrjes në fuqi të ligjit. Më pas, nëpërmjet sanksioneve dhe edukimit, shteti kujdeset të farkëtojë ndërgjegjen dhe mendësinë e brezave të tjerë sipas synimeve të veta.

Rrjedhimisht, edhe heqja e termave “nënë” dhe “baba” nga Kodi i Familjes dhe zëvendësimi i tyre me terma të tjerë të çfarëdoshëm shërben si pararendëse e formimit të pandalshëm të një gjuhe të re, e cila zbeh deri në shuarje atë që ekzistonte më parë në kujtesën kolektive të një shoqërie. Afërmendsh, detyrimi dhe penalitetet e ligjit të djeshëm do të kthehen në normalitetin e ri dhe në të vetmin realitet të pranueshëm për shoqërinë e së nesërmes. Njerëzit nuk do të mund ta imagjinojnë një botë me nënë dhe baba, sepse këta terma nuk do të ekzistojnë në leksikun e përditshëm.

spot_img

Latest articles

Related articles